Çaushi i cilëson joserioze dhe hipokrite sjelljet e LDK-së dhe VV-së

Driton Çaushi, deputet i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosje, janë duke shfaqur sjellje joserioze në Kuvend.

Në Express të KTV-së ai ka thënë se LDK-ja dhe VV-ja kanë treguar sjellje hipokrite me largimin nga seanca e fundit e Kuvendit.

“Kuvendi nga konstituimi e tutje nuk po gjen zgjidhje dhe është jofunksional. Në radhë të parë ka të bëjë me mënyrën se si qeveria dhe presidenti e trajtojnë Kuvendin. U pengua dialogimi për kufij përmes një propozimi tjetër. Kishim vendim të LDK-së dhe VV-së për të lëshuar sallën. Mendoj se ajo që është e dukshme pos keqqeverisjes dhe pengesave, është se po shohim sjellje joserioze të opozitës në mënyrën se si po organizohemi. Ata kanë thënë se gjithmonë do të qëndrojnë në Kuvend dhe do të votojnë ligjet e rëndësishme për Kosovën. Hipokrizia në raport me këto dy subjekte është se ne një ditë më parë u dërguam letër përfaqësuesve të BE-së për dialogun me Serbinë, të vendosim platformën. Ajo ishte pika e gjashtë në seancën që ata braktisën”, ka thënë Çaushi.

Ai ka thënë se partitë tjera opozitare kanë agjenda partiake të cilat s’po mund t’i tejkalojnë për interesin e vendit.

“Sa është fatkeqe mënyra si po tentohet të monopolizohet dialogu në mënyrë jolegjitime nga Thaçi aq është për të ardhur keq çorientimi i opozitës, ku subjektet kanë agjenda të tyre partiake dhe nuk i tejkalojnë ato me synimin për të arritur një konsensus, organizim opozitar dhe strategji opozitare. Shumica e veprimeve të derisotshme nuk tregojnë ndarje të prioriteteve”, ka shtuar ai.

Çaushi ka shtuar se VV-ja është parti që është afruar me PDK-në dhe jo PSD-ja.

“VV po merr pjesë në qeverisjen në Prishtinë, por është kundërshtuesja më e madhe dhe kemi parë afrimin e kësaj partie me PDK-në në votime”, ka deklaruar ai.

Deputeti i PSD-së ka thënë po ashtu se nuk kanë marrë ftesë nga Vetëvendosje për protestën në fund të muajit.

Sa i përket sondazheve të fundit, që PSD-në e nxjerrin si parti joparlamentare, Çaushi ka deklaruar se për ta me rëndësi është të punojnë për përmbushjen e nevojave të qytetarëve dhe jo suksesi personal apo partiak.

Lini Një Koment