Çfarë tha Presidenti sot para memorialit të 84 serbëve në Hoçë të Madhe (FOTO)

“Sapo vumë lule në këtë përkujtimore për 84 qytetarë serbë të Kosovës për të përkujtuar viktimat, pa dallim nacionaliteti. Jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe për të kërkuar pajtim ”, kështu u shpreh presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij përkujtimore për viktimat serbe të Kosovës në Hoçë të Madhe dhe në Suharekë.

Thaçi kërkoi që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, që të ngadhënjejë drejtësia dhe të ndodhë pajtimi.

“Kosova nuk duhet të mbetet peng i të kaluarës, por duhet të ndërtojmë të ardhmen evropiane të Kosovës”, u shpreh ai. Presidenti Thaçi, gjithashtu shtoi se nga takimet që ka pasur me familjarët e të pagjeturve të të gjitha komuniteteve, është optimist për pajtimin në Kosovë.

“Gjatë takimeve që kam pasur me familjarë të të pagjeturve, kam mësuar një të vërtetë të dhimbshme, por edhe optimiste për të ardhmen e Kosovës. Familjarët e të pagjeturve më kanë treguar se dhimbja i ka bashkuar dhe tani janë një familje që ndan dhimbjen por edhe dëshirën për pajtim”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, familjarët e të pagjeturve janë shembull edhe për të tjerët, se duhet të bashkëpunojmë me njëri tjetrin për të ndërtuar ura të dialogut dhe bashkëpunimit.

Ndërsa, Prenk Gjetaj u shpreh se institucionet shtetërore të Kosovës vazhdojnë të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. “Është e drejtë e familjeve që të mësojnë të vërtetën për fatin e familjarëve të tyre”, u shpreh z. Gjetaj.

Në Suharekë, presidenti Thaçi vuri lule te memoriali i familjes Berisha. “Jemi këtu të përkujtojmë familjen Berisha dhe për të kërkuar drejtësi të plotë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Do të punojmë maksimalisht, jo të negociojmë, por të këmbëngulim që sa më parë çështja e të pagjeturve të zbardhet”, përfundoi presidenti Thaçi.

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme