CIA zbulon se kush e dha urdhërin për vrasjen e Jamal Khashoggit

CIA beson se Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, sipas raporteve të medias amerikane, raporton Periskopi. 

Burimet pranë agjencisë thanë se kishte bërë një vlerësim të detajuar të provave.

Madje, agjencia tashmë ka njoftuar edhe Qeverinë amerikane për provat që sipas tyre dëshmojnë fajësinë e Princit të Kurorës.

Deri tani nuk ka diçka zyrtare, por zyrtarët amerikanë besojnë se një operacion i tillë do të kishte nevojë për miratimin e tij.

Arabia Saudite e ka quajtur pretendimin e rremë dhe këmbënguli se princi i kurorës nuk dinte asgjë për planet për vrasjen.

Arabia Saudite pas 18 ditësh kishte pranuar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në ambientet e konsullatës së vendit, në Stamboll, më datë 2 tetor të këtij viti.

Në një transmetim të televizionit shtetëror saudit, u raportua se Khashoggi u vra gjatë një përleshjeje në konsullatën saudite në Stamboll, ndërsa autoritetet arabe morën masa për të dënuar përgjegjësit.

Kështu janë arrestuar plot 18 persona, si dhe janë shkarkuar dy gjeneralë, pasi është provuar se kanë qenë të përfshirë në përplasjen që u mbyll me vrasjen e gazetarit 61-vjeçar arab. Gjeneralët e shkarkuar janë zëvendës shefi i inteligjencës Ahmad al-Assiri dhe Saud al-Qahtani, ndihmës i lartë i princit të kurorës Mohammed Bin Salman

Jamal Khashoggi kishte shkuar në konsullatën arabe të Stambollit më 2 tetor, për të marrë një dokument martesor, por nuk doli më që aty, ndërsa prej ditësh autoritetet turke vijojnë hetimet dhe kërkimet për zbardhjen e ngjarjes.

Stambolli kishte akuzuar në mënyrë të vazhdueshme se gazetari ishte vrarë brenda konsullatës dhe trupi i tij ishte copëtuar, por autoritetet arabe kishin mohuar me forcë akuzat, deri mbrëmjen e të premtes.

Edhe faktori ndërkombëtar kishte bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme, për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje, ndërsa në shenjë proteste, braktisën edhe një konferencë investimesh, që po mbahet në Rijad.

Jamal Khashoggi ishte një gazetar saudit, që jetonte në SHBA dhe shkruante për Washington Post, ndërsa njihej si një kritik i vazhdueshëm i Princit të Kurorës, Muhamed bin Salman.

Lini Një Koment