Delawie i shqetësuar me dorëheqjen e prokurorit që hetonte mashtrimet me pensione lufte

Ditë të trishtuar për sundimin e ligjit në Kosovë e ka konsideruar dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Ambasadori Delawie më shqetësuese e ka konsideruar faktin që prokurori po hetonte një skemë masive mashtrimi me pensione. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar hetim të plotë të rrethanave, nëse vërtetohet se Blakaj ka dhënë dorëheqjen si rezultat i kërcënimeve. Reagim ka pasur edhe nga presidenti Thaçi.

Dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj nga Prokuroria Speciale po konsiderohet një goditje për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ndër reagimet pas dorëheqjes së tij, më i drejtpërdrejtë ka qenë ai i ambasadorit të SHBA-së, Greg Delawie.

“Ditë e trishtueshme për sundimin e ligjit në Kosovë kur një top-prokuror ndjen se duhet të japë dorëheqje si rezultat i kërcënimeve dhe mungesës së përkrahjes. Në veçanti, shqetësuese kur ai po e hetonte një mashtrim masiv me pensione”.

Në rrjete sociale, gjithashtu edhe presidenti Hashim Thaçi ka reaguar duke i dënuar kërcënimet ndaj Blakajt dhe ka ofruar mbështetjen e tij ndaj institucioneve të drejtësisë.

Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar hetimin e rastit, nëse konstatohet se ndaj Blakajt ka pasur kërcënime.

“Pa dashur të aludoj në rrethanat e ngjarjes, në rast se zyrtarisht konstatohet se arsyet e dorëheqjes së Prokurorit janë të natyrës përtej personale, konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush e ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë”.

Gjithashtu reagime ka pasur edhe nga kryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, që ka përmendur raportimet për aktakuzën që ka mbetur në Prokurorinë Speciale.

“Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë kjo është test për shoqërinë tonë dhe për sistemin tonë të drejtësisë. Gati se është fshehtësi publike që numri i veteranëve nuk përkon me numrin real të ushtarëve të UÇK-së. Ky manipulim nuk i bën nder ushtrisë, nuk iu bën nder as komandantëve por më së shumti është mosrespekt ndaj dëshmorëve të luftës,” ka shkruar Ahmeti.

Elez Blakaj, tani ish-prokuror i Prokurorisë Speciale, ka dhënë dorëheqje nga ky institucion në fillim të kësaj jave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme