Demarkacioni me Malin e Zi, Mustafa “konsultohet” edhe me arkivat e KOSTT-it!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në vazhdën e konsultimeve të gjithanshme për eliminimin e të gjitha dilemave të ngritura lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ka pritur sot në takim kryeshefin ekzekutiv të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Mustafë Hasani.

Siç thuhet në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, ndër të tjera, u konsultua edhe dokumentacioni i cili daton që nga viti 1977 lidhur me shtrirjen e largpërçuesve të Kosovës në brezin kufitar me Malin e Zi dhe kufirin ndarës ndërmjet dy vendeve, sa i përket shtrirjes dhe menaxhimit të linjës së transmisionit.

“Ishte konstatim i përbashkët se dokumentacioni i cili ndodhet në arkivat e KOSTT-it do t’i kontribuojë sqarimit të plotë të procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

dk1