Dëmet nga përmbytjet në Shkup, shumë milionash

Përmbytjet e mbrëmjes së 6 gushtit, përpos 22 viktimave dhe dëmeve materiale të banorëve në vendbanimet e rrethinës së Shkupit, krahas ekonomive familjare dhe bujqësore, kanë prekur edhe ekonominë dhe bizneset që operojnë në këtë zonë.

Sipas vlerësimeve të udhëheqësve të kompanive, numri i kompanive që veprojnë në këtë zonë arrin deri në 400, ndërsa vetëm në zonën e ekonomisë ku operojnë mbi 20 kompani dëmet vlerësohen mbi 15 milionë euro, transmeton AA.

Përfaqësues i një kompanie të prekur nga përmbytjet, Remzi Isaku, në emër të kompanive të kësaj zone, theksoi se edhe përskaj humbjeve të tyre të mëdha, ata janë të gatshëm që të ndihmojnë banorët e prekur nga kjo katastrofë natyrore. Ai shtoi se janë prekur lloje të ndryshme të bizneseve, të tilla si me teknikë të bardhë, aparate për amvisëri, produkte ushqimore dhe të tjera.

“Dëmi është vlerësuar 100 përqind. Këto janë firma që funksionojnë prej 7-8 vite deri në 25 vite përvojë, janë firma të vjetra që kanë paguar tatim ndaj këtij shteti, si dhe të gjithë të punësuarve u është paguar kontribute”, u shpreh Isaku.

Kompanitë e ekonomisë të cilat operojnë në këtë zonë kërkuan që Qeveria me përfshirjen e institucioneve relevante dhe përfaqësues nga grupi i bizneseve të krijojë një mekanizëm që do të bëjë vlerësimin e dëmeve të bizneseve, si dhe pasi që të kalojë faza e parë e urgjencës, të merren masa konkrete për ndihmë të këtyre bizneseve, si dhe të njëjtat të jenë pjesë e vlerësimeve të dëmeve.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë