Dënim me burgim 4 vjet e gjysmë për zhvatje

Më 4 gusht 2016, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe një gjyqtari vendës, e ka shpallur të pandehurin B.V. fajtor dhe i ka shqiptuar një dënim unik prej 4 vjet e gjashtë muaj burgim dhe një gjobë prej 1,500€.

Kjo pasi më 8 dhjetor 2014, i pandehuri e ka pranuar fajësinë për pikat e ushtrimit të ndikimit, zhvatjes dhe posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit.

“Trupi gjykues, po ashtu e ka urdhëruar të pandehurin që të kthejë 25 mijë euro të cilat i ka zhvatur prej familjes së viktimës, më ose para datës 31 dhjetor 2017, në të kundërtën mund t’i caktohet një dënim me burgim shtesë”, njofton Gjykata Themelore e Ferizajt.

Trupi gjykues, po ashtu ia ka vazhduar paraburgimin derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, kryesisht për shkakun se i pandehuri kishte ikur nga arresti shtëpiak gjatë gjykimit dhe është dashur të ekstradohet nga Gjermania.

Të bashkëakuzuarit e të pandehurit në këtë rast, S.M. dhe A.M. ende janë në liri dhe për ata janë lëshuar urdhra vendës dhe ndërkombëtarë për arrestimin e tyre.

Të gjitha palët e kanë të drejtën e ankimit.