Dhomat e pritjes në spitalet e Shkupit

Autore: Brikenda Rexhepi

Të bën të ndihesh keq kur je në një dhomë pritjeje përplot njerëz në hall që flasin për sëmundjen. Që zëri u del nga fundi i barkut derisa me të afërmit e tyre analizojnë mundësitë e shërimit. Më keq të bën të ndihesh kur i dëgjon që flasin shqip. Pashmangshëm nis t’i identifikosh prej nga janë – gjakovarë, pejanë, llapjanë… Zakonisht është i sëmuri dhe një apo dy përcjellës që ia shpjegojnë se çka tha mjeku. Ose janë përcjellësit dhe i sëmuri i cili u tregon çfarë t’i thuhet mjekut.

Edhe më keq të bën të ndihesh kur e di që dhoma e pritjes, e mbushur me shqiptarët nga Kosova, është në një spital në Shkup. Nuk e di nëse përgjegjësit për shëndetësinë kosovare janë në dijeni që spitalet e kryeqytetit maqedonas janë përplot kosovarë dhe nëse kjo u ndez ndonjë alarm. Një ditë mjafton të shkohet atje dhe të pyeten pacientët se çfarë ka ndodhur. Mund edhe të mos pyeten fare. Mund veç të shkosh dhe të rrish në ndonjërën nga dhomat e pritjes e t’i dëgjosh derisa i tregojnë njëri-tjetrit.

Muajin që po kryhet dy herë pata rastin të jem përcjellësja (lexo: përkthyesja) në ato spitale e disa të afërmve të mi që trajtimin e duhur nuk e gjetën në Kosovë. Nuk ka qenë dëshira e tyre që për t’u shëruar të merrnin rrugë dhe nuk ka qenë dëshira e tyre që mua të më “obligonin” ta merrja rrugën bashkë me ta. Natyrisht që pa fije përtese do të shkoja edhe në fund të botës… bile atje do të shkoja edhe më me qejf, e të mos më përplasej fytyrës dështimi i shëndetësisë kosovare midis Shkupi; të mos e përjetoja turpërimin për vendin tim para mjekëve maqedonas.

Nëse kjo nuk i bën përgjegjësit për shëndetësinë kosovare të turpërohen, ndoshta alarmin mund t’ua ndezin milionat që shkojnë jashtë Kosovës dhe rrjedhimisht jashtë pazareve të veta. Më 2012, Banka Botërore ka zbuluar se kosovarët shpenzojnë 80 milionë euro në vit për trajtim jashtë vendit. Po të konsiderohen si njësi matëse dhomat e pritjes të spitaleve në Shkup, kjo shifër duhet të jetë edhe më e madhe sivjet.

Nëse nisesh nga problemet me të cilat ndeshen pacientët kosovarë, nga ato më banalet deri te mirë të planifikuarat, dhe ngjitesh nëpër hierarkinë e përgjegjësve, fija të çon në majë:

Kuvendi të cilin e përbëjnë përfaqësuesit e popullit të dhomave të pritjes të spitaleve të Shkupit, jo veç që nuk flet për nevojat dhe problemet e tyre, por zor që mund ta gjesh dikë që e di se me çfarë përballen. Si gazetë çdoherë kemi pasur problem të gjejmë ndonjë që di të flasë konkretisht për problemet e këtij sektori pa shitur deklarata patetike për rëndësinë që ka shëndeti i votuesit. Tri opsione mund ta sqarojnë këtë: nuk janë të interesuar për shëndetësinë, sepse kjo temë është nënçmuese për nivelin e tyre; të jenë injorantë, siç mund të jenë në përgjithësi apo të kenë interesa të drejtpërdrejta.

Qeveria e cila bën politikat në shërbim të popullit të dhomave të pritjes të spitaleve të Shkupit, po bën luftë të brendshme për pozita në institucionet publike shëndetësore dhe rrjedhimisht për (keq)menaxhim me buxhetin e shëndetësisë. Të dy partitë e koalicionit, PDK dhe LDK, kërkojnë të thithin sa më shumë nga gjaku i pacientëve, qoftë përmes tenderëve milionësh, qoftë përmes keqmenaxhimit që ua mundëson mushkonjave nëpër hallkat e sistemit të marrin dozën e tyre.

Sistemi i drejtësisë i popullit të dhomave të pritjes të spitaleve të Shkupit, një rast pati për t’u dëshmuar se vërtet po i ndjek keqtrajtuesit e pacientëve kosovarë. Por “u tërhoq” duke tërhequr nga rasti prokurorin që deri në thelb ka hetuar dhe ka zbuluar dy aferat më të mëdha, atë të stentave dhe atë të barnave. Koka e Prokurorisë së Kosovës ndau mendjen që tjetërkush të nisë të merret nga zeroja me dosjet mijërafaqëshe të prokurorit, i cili për pak bile na e ngjalli shpresën se megjithatë në sistemin e drejtësisë ka njerëz të zotë dhe se mund të nisë të vihet rend në shëndetësi. Bëhet fjalë për aktakuza që demaskojnë sisteme të krimit të organizuar e që përfshijnë mbi 100 zyrtarë shtetërorë, mjekë e biznesmenë të dyshuar. Që i kanë hapur rrugë zgjerimit të hetimeve, të cilat mund ta rrisin edhe më shumë këtë numër. Afera që kanë rrjepur buxhetin e shtetit dhe të pacientëve. Por jo më pak të rëndësishme janë rastet e shumta individuale të pacientëve që kanë pësuar në një formë a tjetrën e që nuk i ka prekur ende dora e drejtësisë.

I gjithë ky konstelacion të shpie te një pyetje. Çka i lidh njerëzit e tri shtyllave të shtetit? Çka e lidh për shembull kokën e prokurorisë me kokën e qeverisë dhe ndonjë përfaqësues të popullit apo ndonjë mushkonjë? Mund të ketë shumë gjëra, por një është e sigurt dhe tashmë krejt evidente: dhomat e pritjes në spitalet e Shkupit.

Nga ana tjetër janë mjekët. Tash për të mos u ndezur siç e kanë zakon, duhet thënë fillimisht se në Kosovë ka mjekë shumë të mirë dhe këtë gjë nuk e mohon askush. Por një gjë është komplet e palogjikshme, që madje shkon deri në budallallëk: të çohesh e të përkrahësh ata që e kanë fëlliqur mantelin e bardhë të mjekut me krime johumane, tashmë të dëshmuara, ndaj hallexhinjve; të shantazhosh shëndetësinë dhe me vetëdije të plotë ta fusësh veten në thes me ta. Kjo nuk është solidarizim, kjo është njollosje e vetvetes, e profesionit të shenjtë, e besimit të pacientit kosovar, e betimit të Hipokratit… Nëse mjekët duan ta kthejnë prapa besimin e kosovarëve në dhomat e pritjes në spitalet e Shkupit, duhet të mbrohen nga kolegët që po ua qesin faqen e zezë e të mos i mbrojnë ata./Koha.net

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë