Dikur (s’)ishim atë që jemi sot!

Xhevdet Pozhari

Thonë se para luftës ishim më solidarë, më humanë.

E vërtetë!

Por, ngaqë nuk kishim pushtet, e jo se ishim njerëz më të mirë.

Ngaqë jetonim secili në kushte e rrethana të ngjashme.

Na bëni të lumtur ose na pikëllonin ngjarje të njëjta!

Secili ishim të etur për ditët që jetojmë sot, të cilat i farkonim në imagjinatë, i mbindërtonim si ideale duke i rrënjosur thellë në vetvete si bindje. Ngaqë e dinim se e mira jonë është e barasvlershme dhe e ndërvarur nga e mira e tjetrit. Se përndryshe gjithçka është e mangët dhe s’të pëmbush.

Andaj, në ditët e sotit, “mirësia” është një test i rëndë, sidomos kur smira ka mbirë në zemrat e gjithsecilit, kujt më pak e kujt më shumë – varësisht nga mundësitë ekonomike. Për më tepër, pozitën në shoqëri ta përcakton thellësia e xhepit, e jo e mendjes.

Pak rëndësi ka rruga nga ke ecur, si ke arritur deri tek ato para. Me rëndësi – ti ia ke dalë!

Pak rëndësi ka nëse gjatë këtij rrugëtimi ke ecur nëpër shtigje që dikur konsideroheshin të turpshme. Si dhe skajshmëria tjetër, të të vështrojnë me mëshirë nëse je përpjekur, por nuk ia ke dalë ngaqë nuk ke dashur të shkelësh mbi të tjerë, mbi vetveten!

Jo rastësisht sot jetohet më shumë për njerëz sesa për vetveten! FB është veç një dëshmi konkrete. Shpërndahen buzëqeshje e dashuri gjithandej. “Lumturia” përkufizohet brenda dy-tre fotove. Me rëndësi të buzëqeshësh, të dukesh bukur… me pak fjalë, t’u pëlqesh të tjerëve. Sasia e “llajkave” do të jetë përcaktuesi nëse ia ka vlejtur “sakrifica” kur ke shtrënguar nofullat për të qeshur, apo kur ke mbajtur frymën që mos tët vërehet barku i varur.

Thonë se dikur ishim më krenarë se sot si dhe më të njerëzishëm dhe jo aq të largët midis veti. Ku ta dish, mbase ishim të tillë ngaqë më shumë çmohej njerëzorja dhe shkaku se ato ishin kohë kur njeriu matej nëpërmes ndërgjegjes dhe dinjitetit të vet.

Gjithashtu, dikur njerëzit mbanin llogari për atë se çka bota mendonte e fliste për ta. Ndoshta ngaqë bota e atëhershme nuk ishte degraduar gjithaq nga paturpshmëria e amorali si dhe nga fotot në rrjetet sociale ku shumë nga bukuroshet legjitimohen nëpërmjet prapanicës, e jo fytyrës e mendjes.

Andaj, mbase kurrë s’ka qenë më rënd se sot të jesh njeri i mirë e të mos harrosh se ka një Zot dhe se asgjë s’do të marrim me vete, pos veprave që peshojnë njerëzoren në ne.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme