Djali përzë prindërit nga banesa, të moshuarit endën si të pa shpresë rrugëve të qytetit

Një çift të moshuarish janë endur rrugëve të Korçës përgjatë 3 ditëve të fundit, pasi u braktisën nga fëmijët e tyre dhe u dëbuan nga banesa.

Të moshuarit, të dy 82-vjeçarë, janë detyruar të flenë nëpër hotele dhe të enden lulishteve, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e instancave për t’iu gjetur atyre një strehë, ushqim dhe vendin ku ata do të vazhdojnë të kalojnë pjesën e mbetur të jetës.

Fadil dhe Lumturie Mane janë prindër të 4 fëmijëve, por problemet dhe grindjet me fëmijët kanë bërë që ata të mbeten në qiell të hapur.

Fadili tregon se gjatë të gjithë jetës ka qenë mbështetje e madhe për 3 djemtë e tij dhe vajzën, duke u siguruar atyre shtëpi dhe gjithçka, ndërsa tani është lënë në mëshirë të fatit.

“Më merr djali, më nxjerr jashtë mua, më hedh edhe plaçkat jashtë e më thotë ik. Po ku të iki unë? Ikë më tha. Djali më hëngri të tëra çfarë kisha dhe më la vetëm pensionin e muajit të fundit që kisha pa marrë. Sot s’kam shtëpi nga tri që kisha. Sot jam pa asnjë, sepse e ka marrë vajza, e ka hedhur në emrin e saj. Ashtu e mësoi burri”, thotë Fadili i moshuar.

Përballë kësaj situate nuk ka munguar as reagimi i instancave dhe komunitetit, të cilët kanë gjetur një zgjidhje për të moshuarit

“Ne kemi ofruar strehim dhe ushqim për këta të moshuar, sikurse do t’u sigurojmë edhe një person që do t’iu gatuajë e t’u shërbejë derisa të ketë një zgjidhje për ta”, shprehet myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi.

Pas përballjes me këtë situatë, Lumturia dhe Fadili do të strehohen në një shtëpi për të moshuarit në Poliçan. / Top Channel

Lini Një Koment