Djuric lajka gjermanes Schitz, ankohet se Prishtina po destabilizon rajonin

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyre për Kosovë e Metohi’, Marko Djuric, priti në takim Drejtoren e Departamentit për Europën juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Suzanne Schitz, me të cilën bisedoi për ngjarjet në Kosovë në rrafshine sigurisë dhe politikës. Si zakonisht pati shumë ankesa, transmeton Gazeta Metro.


Djuric tha se Beogradi është i përcaktuar për vazhdimin e dialogut me Prishtinën dhe zgjidhje paqësore për të gjitha mospajtimet në rajon.

Djuric vazhdoi e fajësoi Prishtinën se po vepron në drejtim të destablizimit të rajonit në vend se të drejtohet drejt stabilizimit të rrethanave, thuhet në komunikatën e zyrës për Kosovë të qeverisë serbe.

Në takim u bisedua edhe për perspektivën europiane të Serbisë si  dhe kontributin e Gjermanisë dhe investitorëve gjermanë në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të saj.

Suzanne Schitz udhëheq departamentin për europën juglindore në Drejtorinë Politike 2 në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, përgjegjëse për përpilimin e politikave të shtetit gjerman.

Ajo po merr pjesë në Forumin për Siguri në Beograd që ka temë “Zgjidhja e qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor”. Ajo do të mbajë fjalën hapëse të forumit pasi i Dërguari i Posaçëm i SHBA’ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer anuloi pjesëmarrjen. 

Lini Një Koment