Dorëheqja e bujshme: Haradinaj nuk dorëzon postin, pret kushtetuesen t’ia miratojë vazhdimin e punës

Po vazhdon mbledhja e Qeverisë në largim e thirrur nga kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj.

Në këtë mbledhje zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se në rendin e ditës ka shumë tema të cilat nuk mund të procedohen dhe si e tillë duhet të ketë një interpretim ligjor.

Siç thotë ai, nuk mund të vazhdohet se si ka vazhduar deri më tash.

Ndërsa kryeministri Haradinaj ka thënë se vlerësimi i temave se cila temë është më e zakonshme dhe më urgjente merr shumë kohë.

Ai ka thënë se këtë çështje do ta çojë në Kushtetuese. Haradinaj ka bërë të ditur se në këtë situatë mënyra e vetme është t’i drejtohet Kushtetueses.

Kryeministri Haradinaj po ashtu ka thënë se secila temë e cila pret të votohet në mbledhje është urgjente.

“Me respekt për praktikat, marrëveshja politike nuk na ia jep edhe bazën ligjore”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga partneri i koalicionit që të vendosin bashkë për ta çuar në Kushtetuese ose për t’i bërë vlerësimet e duhura ligjore që do të trajtohen në mbledhjet e Qeverisë, ngase siç është shprehur ai, frikësohet të thërras një mbledhje të radhës pa e ditur bazën ligjore të saj.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk do t’i thirr dhe udhëheqë mbledhjet pa një vendim të Kushtetueses.

Tutje kryeministri në largim ka thënë se në rast se nuk mbahen mbledhjet atëherë do të ketë stopim të lëvizjeve të proceseve.

“Unë kam dhënë dorëheqje, mirëpo kam premtuar se nuk do të krijojmë vakuum politik. Unë dua ta shfrytëzoj të drejtën time dhe t’i drejtohem Kushtetueses”, ka thënë ai.

Lini Një Koment