Dorëheqja e Haradinajt ishte manipulim, në Hagë mbrojti veten – jo Kosovën

Isntituti i njohur slloven, IFIMES, që merret me analizimin e gjendjes dhe situatës politike në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme, ka publikuar raportin për Kosovën.

Në të përmendet edhe dorëheqja e 19 korrikut e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan lajmi.net.

Ky institut thekson arsyet e pretenduara nga Haradinaj për dorëheqjen e tij nga posti.

Madje “godet” Haradinajn për mbrojtjen në heshtje të tij.

“Intervistimi i tij u bë më 25 korrik në Hagë. Ndryshe nga deklaratat e tij që theksonte se do ta mbronte Kosovën. Ai pranoi një këshillë ligjore që të mbrohej në heshtje, e që do të thotë se ai në Hagë mbrojti veten para Kosovës dhe UÇK-së”, thuhet në raport.

Sipas ligjit për Dhomat e Specializuara të Prokurorisë, i dyshuari ka të drejtë të informohet për të drejtat e tij, nëse ka indikacione se ai mund ta ketë kryer një krim e që është nën juridiksionin e Gjykatës Speciale.

Madje, sipas këtij instituti dorëheqja e Haradinajt është manipulim.

“Dorëheqja e Haradinajt nuk është gjë tjetër pos manipulim. Është e qartë se ai është  marrë në pyetje nga dhomat e specializuara bazuar në përgjegjësinë e tij personale dhe Qeveria e shteti i Kosovës nuk janë të dyshuara në këtë rast. Ai është në dijeni për këtë, duke qenë se dy herë më parë është gjykuar për krime lufte”, thekson ky institut.

Në vazhdim të analizës, thuhet se Haradinaj i ra pishman se u tërhoq nga posti i kryeministrit, e duke dashur të mbesë aty, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kësaj teorie, Haradinaj po tenton ta legalizojë vetën si kryeministër teknik.

Haradinajt në këtë analizë i përmendet edhe qëndrimi i tij fillestar kundër demarkacionit, e më pas qëndrimi pro tij gjatë kohës që ishte kryeministër i Kosovës. 

Lini Një Koment