Drecun: Shqipëria jo zyrtarisht i ka shpallë luftë Serbisë

Ushtrimet e përbashkëta të Ushtrisë Shqiptare dhe “të ashtuquajturave forcave të sigurisë së Kosovës” në Kosovë janë “dedikuar për frikësimin e popullit serb në krahinë dhe këto janë përgatitje për shkaktim eventual të dhunës në veri të Kosovës”, ka deklaruar kryetari i të ashtuquajturit Këshill i kuvendit të Serbisë për Kosovën, Millovan Drecun.

“Ata me hyrje të forcave të tyre e kanë okupuar një pjesë të territorit tonë. Ndërsa nuk reagojnë as Kombet e Bashkuar e as KFOR-“, thotë Drecun për televizionin serb TV Pink.

Ai gjithashtu ka theksuar se sipas Rezolutës 1244 prania e vetme ushtarake në Kosovë mund të jetë prania e KFOR-it. “Si ka mundur KFOR-i të lejojë praninë e një force ushtarake e cila nuk është në kuadër të KFOR-it? Përse nuk i kanë penguar? Kush ka marrë vendim që të lejohet kështu diçka?”, pyet Drecun.

Ai ka theksuar se me këtë po i dërgohet mesazhi i qartë Beogradit se Armata e Shqipërisë mund t’i ndihmojë forcat speciale të Kosovës “të përfundojnë me spastrim etnik të Kosovës dhe t’i dëbojnë serbët nga Kosova”.

“Po i dërgohet Serbisë një mesazh shumë i rrezikshëm i cili mund të sjellë rajonin deri në një gjendje të re të luftës, na dërgohet mesazhi se në rast se përpiqemi ta mbrojmë popullin serb, Shqipëria do ta dërgojë Armatën e saj të na kundërvihet dhe se mund ta presim Ushtrinë Shqiptare në maje të Kopaonikut, ku është vija administrative”, ka thënë Drecun.

Lini Një Koment