Drejt Evropës me barkun plot, e mendjen bosh!

Shkruan: Xhevdet POZHARI

Jo domosdoshmërisht duhet të jesh i ndershëm! Nuk ke as pse beson në Zot, nëse obligimet nuk të lejojnë t’u përmbahesh ritualeve fetare. Thjesht, jeto! Mos e vrit kokën. Jeto të sotshmen, se të nesërmes nuk i dihet. Me të kaluarën nuk ia vlen të merresh se edhe ashtu nuk mund ta korrigjosh. Eventualisht, mund të nxjerrësh ndonjë mësim prej saj… Gradualisht, kështu është duke funkcionuar shoqëria në Kosovë.

Në emër të “lirisë”, “demokracisë”, “pro-perëndimores”, kemi përqafuar vlera të panjohura deri më dje, e sot rrekemi të paraqitemi sikur nuk kemi pasur asnjë lidhje me atë që ishim dje! Se ne gjithmonë kemi qenë këta që pretendojmë të paraqitemi sot! Se gjyshërit tanë nuk ishin në rastin më të mirë bujqër të ndershëm, por intelektualë me nam në Versajë apo Vjenë. Madje jo rrallëherë, të krijohet përshtypja se disa snobë do të distancoheshin edhe nga familja, më me dëshirë do të përzgjedhin një identitet të ri vetëm që mos të ngelën peng të portretit me të cilën kanë identifikuar në të kaluarën.

Modernizimi i beftë dhe i pamatur, sikur ka krijuar një tronditje të pashmangshme tek gjeneratat që nuk kishin mundësi të zhvilloheshin natyrshëm, sikur të gjithë bashkëmoshatarët e vendeve të tjera. Përnjëherë, thuajse u ndjenë të cënuar nga shpejtësia me të cilën rrjedh koha. Thuajse u ndjenë sikur më skanë çfarë të humbin. Dhe jo pa të drejtë! Tash e dy dekada, burrështetasit në Kosovë shkatërruan çdo standard. Vlerë të vetme e shndërruan diplomën, e jo dijen. Përcaktues të dijes, në të shumtën e rasteve u bënë njerëz që kualifikimin më të rëndësishëm e kanë librezën e partisë. Në krye të kulturës u vunë njerëz që “kulturë” të vetme kanë tenderët. E, ligjin, e lanë në duar të “Maliqit”…

Sot, shteti më i braktisur në Evropë – Kosova, lëngon nga varfëria që mbulohet me mendjemadhësinë e atyre që jetën e kanë kuptuar si një çast që duhesh ta shijosh deri në fund, pa e vrarë mendjen se çfarë do të sjellë e nesermja. Librat janë zëvendësuar me rrjetet sociale ku zhvillohet gara e “llajkave”. Fitues janë ata që për mendjemëdhenjt i kanë të gjitha – pushime eksluzive, dreka e darka në restorante, veshje të modës së fundit. Pak rëndësi ka nëse mbiemri i tyre është “Thaçi” apo “Haradinaj”. E rëndësishme, gjithnjë sipas shkurtpamësve, mbetet se ata e gjetën formulën e suksesit – pasurimin dhe pushtetin. Për të gjithë mendjelehtët, pak rëndësi ka nëse rreth tyre janë mbledhur njerëz të ish regjimit jugosllav apo ata që ishin më të zëshmit në përçarjen brenda shqiptare. Ata janë shndërruar në gjahtarë që duan një copë nga shujta sepse ky është i vetmi profesion që e zotëruan deri në përsosje – të shërbesh, pa kurriz dhe pa shtruar pyetje. Sa më i kërrusur përballë tyre, aq më rrahagjokës në rrethin ku jeton.

Pra, në ditët e sotshme, në kohën kur të rinjtë do të duhej të garonin për cilësi, një cub klasik i modernizuar, për fat të keq, shndërrohet në model për gjeneratat që vijnë të cilët kanë përballë dy alternativa: ose të zgjedhin “babën e partisë” e t’ju hapen mundësitë e mbijetesës, ose të dëgjojnë pallavrat e prindërve të tyre, si këto të autorit të këtij shkrimi, që thonë se jeta është më shumë se një çast, se e kaluara të ndjek si hije ngado që të shkosh, edhe nëse sot gabimisht mendon se të nesërmen do të zgjohesh si tjetër njeri!

Pra të rinjtë e sotëm para vetes kanë zgjedhjet që ose të dëgjojnë këshillat e atyre që mendojnë se mendjemadhësia është varfëria më e rëndë mendore që lë pasoja afatgjate dhe të rrezikojnë që të mbesin me barkun bosh, ose të ndjekin shembujt e atyre që mbushjen e barkut dhe oreksin për pasurim të ngutshëm e kanë preokuptim të vetëm. Dhe kështu fare pak të dallojnë nga kafshët që njohin vetëm ligjin e xhunglës: mbijeton më i forti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme