Drejtori i RTK’së godet 9 gazetarët: Po tentojnë ta destabilizojnë RTK’në

Drejtori Gjeneral i RTK’së, Ngadhnjim Kastrati, i ka akuzuar nëntë gazetarët e televizionit publik se po tentojnë të destabilizojnë RTK’në. Ka thënë se të njëjtit janë futur në skenar të politikës. Nuk ka treguar se cilës parti politike po i shërbejnë.

“Kjo tregon se këta kolegë janë futur në një skenar politik dhe qëllimi i tyre nuk është as avancimi as risistemimi por destabilizimi i RTK-së, pikërisht tash në prag të fushatës zgjedhore”, ka thënë Kastrati, në një reagim, pasi Express raportoi për hallakamën në RTK.

Express ka shkruar sot se nëntë gazetarë kanë vendosur të bojkotojnë punën pse menaxhmenti i ri i RTK’së ka vendosur të emërojë një redaktor pa i përfillur procedurat ligjore.

Ata s’po e pranojnë për redaktor Besart Galicën. E kanë njoftuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të RTK’dë, Ngadhnjim Kastratin, i cili ende kontestohet prej një pjesë të punëtorëve të RTK’së.

Nëntë gazetarët e RTK’së kanë shkruar në letër se s’po i dëgjon askush brenda televizionit pavarësisht fakteve që kanë s’ka pasur asnjë vlerësim paraprak për vendimet që janë marrë.

“Ne konsiderojmë se tashmë i kemi konsumuar të gjitha rrugët institucionale brenda RTK’së për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë problem. Nga diskutimi që patëm sot kemi ardhur në përfundim që mungon vullneti dhe gatishmëria për një zgjidhje të shpejtë dhe të dinjitetshme të këtij problemi”, thuhet në letrën drejtuar menaxhmentit të RTK’së.

Gazetarët e RTK’së kanë publikuar të dhëna për shkelje ligjore edhe kur janë punësuar njerëzit në televizionin publik.

Aty mund të ketë hetime edhe prej Prokurorisë së Shtetit se si punësimet në këtë institucion ndodhin për njerëz të padiplomuar.

“Ju rikujtojmë se në rastin e kolegut Besart Galica nuk janë shkelur procedurat vetëm në emërimin e tij si redaktor në lajmet qëndrore, por edhe siç mund të jeni në dijeni për të njëjtin person shkelje ka pasur edhe në kriterin për punësim në kualifikimin përkatës”, thuhet më tej në letër.

Sipas gazetarëve, Besart Galica është ngritur në pozitën e redaktorit mbi bazën e diskriminimit, shkeljeve ligjore.

“…Tash e tutje do t’ju drejtohemi institucioneve përkatëse ligjore jashtë RTK’së…”, thuhet më tej në letër.

Reagimi i plotë i Drejtorit Gjeneral të RTK’së

Si Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së më duhet ta sqaroj situatën të cilën po tentojnë ta krijojnë një grup i gazetarëve, fatkeqësisht të ndikuar politikisht, tash pikërisht në kohën kur po pritet të ketë zgjedhje në Kosovë.

Për RTK-në këto situata janë të njohura tashmë, pasi që i njëjti skenar politikë është përdorur edhe vite me parë.

Na vjen shumë keq që në këta skenar politikë, viktima po binë disa kolegë tanë të RTK-së të cilët në mënyrë të pavetëdijshme po bëhen vegla të subjekteve të caktuara politike.

Më duhet të sqaroj se RTK funksionon në bazë të ligjit dhe rregulloreve të brendshme dhe të gjitha avancimet ose lëvizjet e stafit bëhen sipas ligjit dhe rregulloreve.

Edhe në rastin e avancimit të Besart Galicës ka ndodhur e njëjta gjë, janë respektuar të gjitha procedurat.

Një grup i kolegëve të tij të cilët vazhdimisht kanë qëndruar bashkë, përnjëherë i bëhen ‘armiq’.

Ky grup i 9 gazetarëve fillimisht nuk e kanë pranuar Besartin si eprorë të tyre dhe unë si Drejtor i Përgjithshëm i kam mirëkuptuar dhe i kam ftuar në takim.

Ata kanë kërkuar më vonë avancim dhe risistemim brenda RTK-së, dhe ua kam plotësuar këtë kërkesë.

9 gazetarët janë vlerësuar nga eprorët e tyre dhe janë avancuar duke u bazuar në përvojën e tyre dhe rregulloret e brendshme.

Por, qëllimi i këtyre gazetarëve fatkeqësisht është krejt diku tjetër!

Ata refuzuan edhe avancimet dhe risistemimet që i kërkuan vetë!

Kjo tregon se këta kolegë janë futur në një skenar politik dhe qëllimi i tyre nuk është as avancimi as risistemimi por destabilizimi i RTK-së, pikërisht tash në prag të fushatës zgjedhore.

Por, si Drejtor i Përgjithshëm nuk do të lejojë që askush ta destabilizojë RTK për shkak të qëllimeve politike. Do të veprojë konform ligjit dhe rregulloreve në mbrojtje të pavarësisë editoriale por edhe të RTK-së si institucion.

I bëj thirrje politikës që të rrinë sa më larg RTK-së dhe mos të tentojnë që përmes individëve të caktuar të destabilizojnë Transmetuesin Publik.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme