Duart e përgjakura të BDI-së që presin votat e shqiptarëve të Maqedonisë

Sot u raportua se në përvjetorin e vrasjes së Komandant “Shqiponjës” – Xhemail Rexhepi, me urdhër të BDI-së, gjykatësja Gjylsime Shabani ka nënshkruar lirimin nga paraburgimi të vrasësit të “Shqiponjës”, Bajram Limani. Limani mbrëmë vonë është liruar nga paraburgimi dhe është përcjellur për në shtëpinë e tij në fshatin Llojan, ku do të jetë në burg shtëpiak.
Dy vrasjet e vitit të kaluar në Maqedoni të zyrtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, ajo e pretendentit për kryetar dege në Kumanovë, Xhemail Rexhepi – Komandant Shqiponjës, me 23 korrik, dhe vrasja e sotme e Artan Musliut, zyrtar i BDI-së në Strugë, kishin vënë në pah problemet e kahmotshme ndërshqiptare e ndërpartiake në Maqedoni.
Të dyja vrasjet erdhën pas konflikteve brendapartiake në BDI. Tensionet dhe zënkat në këtë parti kanë nisur vite me radhë. Më i freskët është rasti kur kryetari i Komunës së Cairit u kërcënua nga një krah i pakënaqur i strukturave të BDI-së.

Asokohe, analisti dhe njohësi i rrethanave politike në Maqedoni, Xhelal Nezirin, faji kryekëput i shkon një njeriu.
“Përgjegjës për këtë situatë është lideri partiak, Ali Ahmeti, që ushqeu politikën e fraksionizimit horizontal të BDI-së, me qëllim që të ketë kontroll mbi strukturën e subjektit që drejton”, kishte deklaruar Neziri.
Sipas Nezirit vrasja e zyrtarëve të BDI-së, është pasojë e një pavetëdije politike, e cila i nënshtrohet klientelizmit, e që gjithçka e nënkupton si interes vetjak dhe grupimin politik e sheh si mundësi për përfitime të ngushta.
“Zgjedhjet brendapartiake kanë shkaktuar nervozë dhe frustracione te themeltarët e partisë, të cilët kërkojnë që subjektin që e formuan pas një konflikti të armatosur, ta kthejnë prapa nga kontrolli i një fraksioni që politikën dhe pushtetin e shohin vetëm nga prizmi i biznesit”, nënvijëzonte Neziri.

Ndërsa në një intervistë për televizionin “24 Vesti”, deputetja Ermira Mehmeti mes tjerash kishte kritikuar dukurinë e krijimit të “sherifëve lokalë” në BDI ku koncentrohet fuqi dhe ndikim i madh. “Kjo shkakton përplasje edhe me çmim të jetës, gjë që për fat të keq edhe ndodhi”, kishte thënë Mehmeti.
Menjëherë pas këtyre deklarimeve, Ermira Mehmeti u ballafaqua me disa skandale publike ku midis tjerash ajo nuk përjashtonte edhe përfshirjen e eksponentëve të caktuar brenda partisë që përfaqëson për denigrimin e personalitetit të saj.
Pas vrasjeve brenda degëve partiake, PDSH-ja kërkoi përgjegjësi nga ministrat e BDI-së për situatën që ka krijuar në vendbanimet shqiptare.

Ernad Fejzullahu akuzoi kreun e integristëve Ali Ahmeti si përgjegjës kryesor për këto vrasje.
Megjithatë, akuzat e PDSH-së hasën në vesh të shurdhër pasi asnjë nga ministrat e BDI-së nuk ishte i pranishëm në seancën e llogaridhënies përpara deputetëve.

Ndërsa, Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA lidhur me këto ngjarje dhe të tjera që i kanë goditur shqiptarët e Maqedonisë ka deklaruar: Sot të gjithë atyre që shtrojnë pyetje se çfarë është duke ndodhur me shqiptarët e Maqedonisë, duhet thënë qartë se ata nuk ka kush t’i mbrojë, ngaqë edhe ata që do të duhej të kujdeseshin për mirëqenien dhe sigurinë e tyre, pra, partia shqiptare në pushtet, janë shndërruar në stimulues të vrasjeve ndërshqiptare, që ndodhin për motive politike, brenda degëve të tyre partiake”./Sakte.net

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë