Duda Balje tregon se çfarë kanë folur dje gjatë konsultimeve me Hashim Thaçin

Vakumi institucional që është krijuar nga dorëheqja e Ramush Haradinaj nga posti i Kryeministrit ka bërë që Presidenti Thaçi të ketë fjalën rreth mandatarit të ri për Kryeministër apo shpalljen e zgjedhjeve të reja. Thaçi nuk ka takuar asnjë nga partitë politike shqiptare që janë në Kuvend, përpos partive nga komuniteti jo shumicë. Deputetja nga koalicioni VAKAT, Duda Balje ka thënë për Gazetën Express se takimi me Presidentin ka qenë konsultativ, dhe se Thaçi u ka thënë se do të veprojë sipas kushtetutës sa i përket mandatarit të ri dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje atëherë do të shkohet në zgjedhje.

Ditën e djeshme, Presidenti i Kosovës ka takuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe ata të subjektit VAKAT nga grupi parlamentar 6+.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje nga grupi parlamentar 6+ ka folur për Gazetën Express për takimin e djeshëm me Presidentin Hashim Thaçi.

Balje ka thënë se takimi i djeshëm me Presidentin Thaçi ka qenë konsultativ.

“Ka qenë takim konsultativ, ka qenë takim për situatën që jemi tash”, tha Balje.

Deputetja ka thënë se siç ajo ka kuptuar Presidenti do të shfrytëzojë mundësinë e Kushtetutës.

“Qysh na kemi kuptuar, Presidenti do të shfrytëzojë mundësinë e kushtetutës dhe do ti jepet shanca mandatarit të ri dhe nëse nuk mundet ne do të shkojmë në zgjedhje shumë shpejt”, është shprehur deputetja Balje.

E pyetur nëse Presidenti është shprehur pro zgjedhjeve Presidenti gjatë takimit, Balje ka thënë se nuk kanë hyrë në detaje.

“Jo, në detaje nuk kemi hy, ka thënë se do të shfrytëzojë mundësinë e Kushtetutës dhe kështu do të jetë”, tha deputetja Balje.

Balje ka thënë se Presidenti do të takohet edhe me partitë tjera, dhe beson që në fund të shtatorit do të shkohet në zgjedhje.

“Unë mendoj se Presidenti do të flasë edhe me partitë tjera edhe do të gjendet një zgjidhje, por unë mendoj se në fund të shtatorit do të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Balje.

Deputetja nga grupi parlamentar 6+ ka thënë se si parti dhe koalicion janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje.

“Po edhe ne si partitë tjera jemi gati për me shku në zgjedhje, me thënë të drejtën për një mandat nuk është koha që mundesh me bë mirë për shtetit, por situata aktuale politike është kështu dhe ne do të shkojmë në zgjedhje nëse edhe tjerët janë për”, ka thënë Duda Balje.

Lini Një Koment