Dy futbollistë i thonë “JO” Kosovës

Një ditë më vonë, një tjetër refuzim për Kosovën vjen nga Norvegjia. Bëhet fjalë për vëllezërit Berisha.

Eros Grezda deklaroi për “Panorama Sport” se i ka thënë “jo” trajnerit të përfaqësueses së Kosovës për të qëndruar te Shqipëria. Një ditë më vonë, një tjetër refuzim për Kosovën vjen nga Norvegjia. Bëhet fjalë për vëllezërit Berisha.

Ndryshe nga Amir Rrahmani, i cili dje vendosi ta lërë Shqipërinë për Kosovën, tjetër vendim kanë marrë dy vëllezërit Berisha, të cilët luajnë për Norvegjinë. Ka qenë vetë trajneri i kësaj kombëtareje që ka bërë me dije se çfarë kanë zgjedhur dy futbollistët në fjalë për të ardhmen e tyre, tashmë që vendi i tyre i origjinës është lejuar që të marrë lojtarë nga Kombëtare të ndryshme.

Trajneri i Norvegjisë, Per Matias Hogmo, ka deklaruar se dy vëllezërit kosovarë, Valon dhe Veton Berisha, nuk do të luajnë për Kosovën. “Ata kanë vendosur dhe janë të motivuar për të luajtur me Norvegjinë”, ka thënë Hogmo për mediat norvegjeze.

Një refuzim që vjen nga futbollistë të Kombëtareve të ndryshme, ndonëse drejtuesit e Federatës së Kosovës dhe përfaqësueses së saj pretendojnë se do të afrojnë “yje” nga ekipe të ndryshme.

Afrime vetëm nga Shqipëria

U trumbetua me të madhe nga drejtuesit e futbollit në Kosovë dhe gjithashtu prej mediave se do të ishin të gjithë yjet me origjinë nga ky shtet që do të afroheshin në ekipin përfaqësues që është pranuar rishtas në UEFA dhe FIFA.

Mirëpo, pasi kanë kaluar disa muaj nga pranimi dhe disa javë nga leja e marrë në FIFA për futbollistët që mund të ndryshojnë Kombëtaren, Kosova ka afruar vetëm katër futbollistë nga… Shqipëria. Deri tani nuk ka marrë asnjë futbollist nga kombëtare të tjera, siç u tha në fillim dhe u përsërit si “slogani i një fushate”.

Me përjashtim të Mehës, i cili aktualisht është një futbollist i sprovuar dhe me shumë eksperiencë, Rashica, Shala dhe Rrahmani janë tre lojtarë shumë të rinj në moshë që ishin projektuar si e ardhmja e Kombëtares kuqezi.

Ndonëse deklaratat diplomatike të drejtuesve të federatës së Kosovës janë që nuk do të dëmtojnë asnjë Kombëtare tjetër, që në ditët e para kanë dëmtuar jo pak të ardhmen e kuqezinjve.