Dyert e Kullës së Jasharëve mbesin të mbyllura për Hashim Thaçin

Dyert e Kullës së Jasharëve janë të vetmet të cilat Presidenti Hashim Thaçi nuk po mund t’i hapë tash e sa kohë. Ai madje arrin të shkojë edhe në dasma të familjarëve të komandantëve pa e ftuar askush, por familja Jashari edhe më tutje refuzon ta presë në konakun e saj. Pse është kaq i madh hidhërimi i të mbijetuarve të kësaj familjeje ndaj Presidentit?
Në shenjë revolte, dy vjet më parë, familja Jashari kishte mbyllur dyert për liderët politikë, megjithatë për Hashim Thaçin nuk i hapi kurrë më.

Familjes Jashari nuk i ka kaluar hidhërimi ndaj Presidentit Thaçi. Ka kohë që përfaqësuesit e kësaj familjeje refuzojnë ta presin në konakun e tyre edhe kur ai po drejton shtetin për të cilin ranë 55 anëtarë të familjes.

Një vit më parë Murat Jashari kishte folur për politikanë duke thënë se kjo familje nuk mban inat me ta. Por, ai u kishte bërë vërejtje pa zënë në gojë emra.

“…individët ose personat të cilët udhëheqin me institucionet kushtetuese, nëse ata punojnë siç duhet, do ta kenë vlerësimin tonë ose respektin tonë”, kishte thënë Murat Jashari.

Me anëtarët e kësaj familjeje, Thaçi tani mund të takohet vetëm në disa ngjarje me karakter shtetëror ku shkëmbejnë ndonjë fjalë për mirësjellje.

Këtë vit, në 20-vjetorin e rënies së familjes Jashari, Rifat Jashari ka pritur në kullën e tij udhëheqës të skenës politike, si kryeministrin Ramush Haradinaj ose edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Thaçi dje kishte vizituar kompleksin memorial të Jasharëve në Prekaz, por jo edhe shtëpinë kur në çdo datë të rëndësishme të shtetit, Rifat Jashari dhe të mbijetuarit e kësaj familjeje presin krerët shtetërorë dhe partiakë.

Nga ana tjetër, në mungesë të fotografive aktuale dhe në mungesë të raporteve me familjen Jashari ai ka çelur arkivin.

Dy ditët e fundit Presidenti ka publikuar fotografi të viteve ’90-ta ku shihet krah komandantit Adem Jashari. Të njëjtën fotografi, Thaçi e ka vendosur edhe në profilin e tij në Facebook si “cover”.

Siç duket, dera e Kullës së Jasharëve është e vetmja të cilën Presidenti Hashim Thaçi nuk po mund ta hapë me manovrimet e tij politike. Ai madje shkon edhe në dasma të familjarëve të komandantëve i paftuar, por familja Jashari edhe më tutje refuzon ta presë në konakun e saj. Kaq i madh është hidhërimi i të mbijetuarve të kësaj familjeje ndaj Presidentit.

Për 20 vjet që nga rënia e familjes Jashari, politikanët e dalë nga lufta, kishin provuar që në çdo formë të dëshmojnë se sa ishin të afërt me Jasharët. E sulmet ndaj kundërshtarëve politikë kanë qenë akuzat për tradhti ndaj komandantit.

Kjo vazhdoi derisa përfaqësues të familjes Jashari shfaqën publikisht pakënaqësinë që kishin ndaj klasës politike, e veçmas ndaj atyre që thirreshin në raportet me Adem Jasharin, duke mbyllur dyert në vitin 2016. Këto dyer tutje u hapën, për ata që familja në fjalë i konsideron të denjë për t’i pritur. /Express/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme