Ekonomiksi para koronës, çfarë kishin paralajmëruar ekspertët!

Nga Johan Fourie

Ndikimi i një pandemie globale është diskutuar nga akademikët që në vitin 2016. Por siç ndodh shpesh fjala e tyre ra në veshë të shurdhër. Dhe ja ku jemi. Tani ka pak dyshim: bota po shkon drejt një recesioni të shkaktuar nga koronavirusi.

Ne jemi më të pasur sepse jetojmë të ndërvarur, të specializuar në gjërat që dijmë bëjmë më mirë dhe tregtojmë tepricat tona. Kur tregtia ndalon – pra kur ne nuk mund të blejmë dot gjërat që nuk i prodhojmë vetë – kthehemi në botën e pavarur, por të varfër ashtu si kanë jetuar të parët tanë.

Se sa të varfër do të jemi pas krizës, vështirë të vlerësohet sot. Në lojë janë shumë faktorë. Vdekjet e parakohshme zvogëlojnë fuqinë e punës, sëmundja ul produktivitetin e saj. Burimet që mund të ishin përdorur në mënyrë produktive tani bllokohen nga masat e kontrollit.

Përpjekjet për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes, ndalimet e udhëtimeve dhe vetë-izolimi, e dëmtojnë edhe më tej aktivitetin ekonomik. Disa industri, turizmi për shembull, i ndiejnë efektet menjëherë, por efektet përfundimisht do ti vuajnë të gjithë sektorët, nga prodhimi deri tek sigurimet.

Në kostot e pandemisë llogariten të ardhurave të humbura. Megjithatë, vlera e brendshme e jetës së humbur para kohe – siç e etiketojnë ekonomistët vuajtjen njerëzore që shoqëron humbjen e të dashurve – mund të jenë shumë më të mëdha sesa një rënie e thjeshtë e PBB-së. E thënë ndryshe: Njerëzit ndikohen shumë më tepër nga dhimbja psikologjike dhe ankthi i pandemive sesa nga një rënie e standardit të tyre të jetesës.

Ky është argumenti i tre ekonomistëve amerikanë – Victoria Fan, Dean Jamison dhe Lawrence Summers – në një punim të bërë në 2016. Ata së pari shqyrtojnë vlerësimet e mëparshme të kostove ekonomike të pandemive, duke u përqëndruar vetëm në të ardhurat e humbura. Vlerësimi i tyre është përdorur edhe nga Banka Botërore.

Duke përdorur gripin spanjoll të vitit 1918 si bazë fillestare, Banka vlerëson se në rastin e një pandemie të rëndë, PBB globale mund të bjerë me 5 për qind. Më shumë se gjysma e kësaj do të ishte për shkak të efekteve shkatërruese të infeksionit. Studiues të tjerë kanë vlerësuar një skenar edhe më të keq – të ngjashëm. Sipas tyre të ardhurat kombëtare bruto në të gjithë botën bien me 12 për qind, dhe për disa vende në zhvillim deri në 50 për qind.

Por Covid-19 nuk është gripi spanjoll. Pandemitë mund të jenë nga të buta në ekstreme. Raporti Global i Shëndetit 2035 prezantoi termin “njësi standarde e vdekshmërisë” (‘standard mortality unit’ – SMU) për të përcaktuar vdekshmërinë për 100 000 banorë: nëse popullsia botërore është 8 miliard, atëherë një SMU prej 1 do të nënkuptonte 800 000 vdekje nga pandemia.

Një pandemi e butë shkon nga 1 deri në 10 SMU, pandemitë e rënda e kanë treguesin SMU 10 e sipër. Pandemia e vitit 1957 – me 1 milion të vdekur për shkak të pandemisë në një popullsi botërore prej 2.8 miliard e kishte SMU-në 3. Gripi Spanjoll i 1918, i cili vrau rreth 40 milion njerëz në një popullsi globale prej 1.8 miliard – kishte një SMU tronditëse: 220

Përgjatë 300 viteve të fundit, bota ka kaluar rreth 15 pandemi, të gjitha, përveç asaj të 1918, me SMU më të ulët se 10. Ka autorë që thonë se kjo pandemi mund të shkaktojë rreth 720 000 vdekje – edhe pse ka shumë pasiguri rreth kësaj shifre. Kjo mund të mos duket si një kosto kaq e lartë – duke pasur parasysh numrin e vdekjeve vjetore nga kanceri (8 milion) ose aksidentet (6 milion).

Por autorët argumentojnë se pasi të shtohet vlera e brendshme në humbjen e të ardhurave që do të shkaktonte një pandemi, qoftë edhe një ‘gjysëm e butë’ me vetëm 720 000 vdekje, humbjet janë domethënëse: ”Kostoja e pritshme gjithëpërfshirëse vjetore që rezulton në botë është 570 miliardë dollarë ose 0.7 për qind e të ardhurave globale (me shifrat e 2015). Në krahasim, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike vlerëson se “kostoja e mundshme e ngrohjes globale është në intervalin 0.2-2 për qind të të ardhurave globale në vit.”

Kështu, kur autorët shkruan punimin e tyre në vitin 2016, ata na paralajmëruan se kostoja e një pandemie mund të ishte ekuivalente me atë të ndryshimeve të klimës. Ata gjithashtu propozuan mënyra për të lehtësuar rreziqet e pandemive të rënda. Kjo përfshinte shpenzimet për kërkime dhe zhvillim drejt një vaksine universale ndaj gripit deri në zbatimin e programeve globale për imunizimin e njerëzve, derrave dhe zogjve kundër gripit sezonal. Autorët vërenin se “Duke pasur parasysh vlerësimet e kostos së këtij punimi për rrezikun e pandemisë, përfitimet ekonomike të investimeve të mëtejshme ka të ngjarë të tejkalojnë ndjeshëm kostot e tyre”.

Por ne nuk kemi se çfarë ti bëjmë më të kaluarës. Ajo që kemi në dorë sot është të mendojmë për veprimin më të përshtatshëm që duhet ndërmarrë. Është e qartë se përparësi urgjente është parandalimi i përhapjes së virusit. Kjo është arsyeja pse karantinat, bllokimet dhe ndalimet e fluturimeve janë ndërmarrë kudo.

Por çfarë mund të bëjnë qeveritë për të zbutur recesionin që do të pasojë në mënyrë të pashmangshme? Politika monetare dhe fiskale ekspansioniste është, sigurisht, gjëja e parë që të shkon ndër mend. Me normat e interesit jashtëzakonisht të ulëta në shumë vende, është ndoshta koha për të marrë hua dhe për të ndërtuar një infrastrukturë të re. Italia dhe vende të tjera tashmë kanë njoftuar disa programe ndihme për të mbështetur familjet në vështirësi.

Po në vendet ku ka pak hapësirë për të marrë hua, si në Afrikën e Jugut. Edhe sikur të ishim me fat dhe sëmundja të mos na prekë rëndë, në një botë ku SHBA, Evropa dhe Kina teshtijnë, për pasojë të gjithë vendet e tjera do të vuajnë. Mjeti ynë i vetëm është të bindim ndërmarrjet vendore të huazojnë dhe investojnë në vend. Dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është të tregojmë angazhim të plotë për politika të shëndosha makro dhe mikroekonomike që, pasi ekonomia globale të marrë veten, edhe këto vende të kthehen në rrugën e rritjes./FinWeek

Autori është profesor i ekonomisë në Universitetin Stellenbosch në Afrikën e Jugut.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme