Erion Veliaj dhe Shpend Ahmeti përjashtojnë Izet Mexhitin nga bashkëpunimi rajonal

Komunën e Prishtinës e vizitoi sot një delegacion i Bashkisë së Tiranës, i udhëhequr nga Kryebashkiaku Erion Veliaj. Ata u pritën nga Kryetari Shpend Ahmeti, dhe përfaqësues të tjerë të kësaj Komunës së Prishtinës. Në këtë takim të parë të kësaj vizite dyditore, u diskutuan për projekte të përbashkëta si dhe u shkëmbyen përvoja nga të dy qytetet, meqë edhe problemet janë të ngjashme.

Ahmeti dhe Veliaj diskutuan edhe për konkretizimin e unionit të bashkive/komunave kryesore shqiptare në rajon. Ata u dakorduan që në fundjavën para Ditës së Pavarësisë, në datat 26 dhe 27 nëntor, të takohen në Tiranë me kryetarët e komunave si Tetova, Presheva e Ulqini, ku do të diskutojnë për tema konkrete që prekin direkt mënyrën e jetesës së qytetarëve nëpër këto komuna.

Ajo që bie në sy është fakti se ata kanë anashkaluar nga ky Union bashkëpunimi kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhitin që është pjesë e rëndësishme e Shkupit edhe për faktin se aty ndodhet përmendorja e Skenderbeut në emër të së cilës Mexhiti fitoi disa herë zgjedhjet duke u thirrur si në një të “arritur kombëtare”./Sakte.net