Figurat evropiane kundërshtojnë planin e Trumpit për konfliktin Izrael-Palestinë

Ish-politikanë me pozita të larta në Evropë e kanë dënuar politikën e njëanshme të presidentit amerikan për zgjidhjen e çështjes mes Izraelit dhe Palestinës. Përmes një letre, ata kanë bërë thirrje që të kundërshtohet secili plan amerikan për arritje të paqes, nëse ai nuk është i drejtë për palestinezët.

Letra e dërguar në Bashkimin Evropian dhe te qeveritë e shteteve anëtare është nënshkruar nga 25 ish-ministra të jashtëm, gjashtë ish-kryeministra dhe dy ish-sekretarë të përgjithshëm të NATO-s.

“Është koha që Evropa të qëndrojë prapa parametrave parimorë për paqe mes Izraelit dhe Palestinës”, shkruhet në këtë letër, në të cilën bëhet thirrje që të arrihet një zgjidhje me dy shtete.

Sipas kësaj letre, Evropa duhet ta kundërshtojë secilin plan që nuk e parasheh krijimin e shtetit palestinez dhe që nuk e cakton Jerusalemin si kryeqytet të të dyja shteteve.

“Për fat të keq, administrata e tanishme e Shteteve të Bashkuara është larguar nga politika afatgjate e këtij shteti”, thuhet në letër, duke e kritikuar vendimin e presidentit amerikan për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Që nga ardhja në pushtet, presidenti Trump ka marrë masa që janë vlerësuar si ndëshkuese për palestinezët. Ai ka premtuar se do ta prezantojë një marrëveshje përfundimtare për izraelitët dhe palestinezët, shkruan “The Guardian”.

Lini Një Koment