Filialet e Shërbimeve Sekrete Jugosllave në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame

Bardhyl MAHMUTI

Hoxhallarët komunistë marksistë-leninistë jugosllavë dhe nacionalistët shqiptarë

Çdokush që ka lexuar memoaret e Sulejman Rexhepit, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, e ka të qartë se “hoxhallarët komunistë”, të edukuar në frymën e “marksizëm-leninizmit jugosllav, ishin mishëruar me historinë e huaj”. Është e kuptueshme se, si rezultat i këtij mishërimi, një numër teologësh myslimanë shqiptarë kishin “emocione të fuqishme sa trupin ua përshkonte një zjarr kur dikush i identifikonte me figurat historike sllave, si Gjorçe Petrovi”. Është e kuptueshme se këta teologë të “marksizëm-leninizmit jugosllav” kurrë “nuk kanë ndjerë emocione më vonë, kur dikush i identifikonte me Skënderbeun”. Prandaj është edhe më e kuptueshme se pjella e një edukimi të tillë ka si rezultat faktin që edhe sot e kësaj dite, një numër teologësh marksistë-leninistë jugosllavë shajnë në mënyrën më të poshtër Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe figura të tjera të historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

***
Njerëzit që nuk i zotërojnë konceptet teorike për ta analizuar realitetin në dimensionin politik, kanë tendenca prirje ta personalizojnë politikën. Për këtë arsye, një nga shtyllat e orientimit metodologjik të politologëve konsiston në shmangien e kësaj qasjeje, që ka për prioritet sjelljen e njerëzve. Përkundër rëndësisë që ka edhe ky aspekt i problematikës, asnjëherë nuk jam ndalur në këtë çështje, sepse jam përpjekur t’i shqyrtoj ngjarjet në kontekstin global.
Në qindra shkrime të ndryshme nga qindra autorë është bërë denoncimi publik, se një numër hoxhallarësh kishin hyrë në shërbim të politikës së sllavëve të jugut që kishin pushtuar territoret shqiptare. Meqenëse po më shtrohet pyetja që të përmend emra konkretë të teologëve që u kanë shërbyer politikave antishqiptare, po sjell për lexuesin argumentet që kërkojnë teologët e llojit të Mustafa Bajramit.
Për të shmangur çdo lloj manipulimi lidhur me burimet e informatave, do të citoj pjesë nga memoaret e Sulejman Rexhepit, kryetarit aktual të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni. Sa i përket problematikës që po trajtoj, memoaret e këtij teologu islam janë më me peshë se të gjitha fjalët dhe argumentet që janë thënë deri tani. Është imami i parë shqiptar, që tregon haptazi se ka qenë spiun i Shërbimeve Sekrete Sllav, motivet që e kanë shtyrë të bashkëpunojë me UDB-në, kontekstet e bashkëpunimit, avancimin e tij deri në funksionin më të rëndësishëm në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe përfshirjen e Filialeve të UDB-së në gjirin e Bashkësisë Fetare Islame.
Pjesët që do të citoj nga këto kujtime të Sulejman Rexhepit do të tronditin të gjithë besimtarët myslimanë që nuk kanë pasur njohuri për këtë realitet të hidhur. Përkundër mendimeve personale që kam për këtë kategori teologësh myslimanë, memoaret e Sulejman Rexhepit janë ndër memoaret më interesante që kam lexuar ndonjëherë. Mendoj se asnjë shqiptar nuk duhet të mbetet pa i lexuar këto memoare, sepse janë dëshmi që sqarojnë shumë hamendësime.
Po sqaroj lexuesin, se citatet që do të nxirren nga këto memoare do të renditen në përputhje me problematikën që po trajtoj e jo në bazë të numrave rendorë të kujtimeve të tij.
Fjalën e ka Sulejman Rexhepi:
“Miq të dashur! Vëllezër e motra!
Para do kohe, një mikut tim të ngushtë ia dhashë dorëshkrimin tim me memoare për t’i lexuar dhe, eventualisht për t’i redaktuar, meqë është njeri i pendës. Ish-shefit tim të kabinetit,H. Agron Vojnikës, i kisha thënë që do t’ia jepja këtë dorëshkrim me kusht që ta botonte pasi të bëhesha për rahmet. Por, meqë gabova dhe ia dhashë mikut për t’i lexuar, megjithatë, është kohë e turbullt, kohë kur nuk mund t’i besoshë as vetes ndaj dhe, duke dyshuar se mund t’i keqpërdorë memoaret e mia, vendosa që t’i botoj vetë, në këtë faqen time elektronike…
Babai im i ndjerë, policinë jugosllave e kishte frikë në palcë. Më lutej e më qortonte që mos të përzihesha me nacionalistët kosovarë, më luste që të isha lojalistë dhe të kisha kujdes, sepse me policinë jugosllave më mirë kalohet duke i shërbyer se sa duke i kundërshtuar”.(Memoari nr.1)
Në memoarin nr. 3 Sulejman Rexhepi evokon kujtime nga periudha kur ishte nxënës në Medresenë e Prishtinës.
“Jasht Medresesë gjithçka tjetër ishte marksizëm-leninizëm. Vlonte Kosova nga kjo ideologji. Pa dyshim, marksizëm-leninizmi kishte future ndikimin e vet edhe në Medresenë tonë. Sot, kur e kujtoj atë kohë, më vjen të turpërohem prej atyre mësimeve dhe prej atyre hoxhallarëve komunistë që na mbushnin si bateritë e zbrazura me këtë ideologji. Ishte kohë e tillë, po na përgatisnin të bëheshim hoxhallarë komunistë. Komunistët e dinin se përmes hoxhallëkut, përmes kontaktit me xhemat dhe influencimit tonë mbi ta, më se lehti do të përhapej marksizëm-leninizmi, më së lehti do të zhvillohej bashkim-vëllazërimi, më së lehti do të luftohej nacionalizmi shqiptar i cili ishte dhe mbeti gogol i komunizmit jugosllav”.
Nga edukimi që kishte marrë nga “hoxhallarët komunistë”, Sulejman Rexhepi veçon Mulla Rashitin, i cili e krahasonte me Gjorçe Petrovin (revolucionarin sllavo-maqedonas).
“Jo që kisha njohuri mbi këtë figurë historike maqedonase, por, çuditërisht, sa herë më thoshte Gjorçe Petrov, seç ma përshkonte trupin një zjarr, në prush. Biles kështu më thoshte edhe Mulla Rashiti: “O bir, o Gjorçe Petrov, o krejt “zhar” je bre…”.Ja çka do të thotë mishërimi me historinë e huaj! Më vonë do të më thonë edhe Skenderbe por, kurrë nuk më ka ndjer trupi atë zjarrin e “zharit”, për vetë faktin se emrin Skenderbe e kam dëgjuar shumë vonë, ndërsa me emrin Gjorçe Petrov, jemi rritur, rruga për në Sullaren time i binte nëpër lagjen e Gjorçe Petrovit, pazarin e mjekimin e kemi bërë në këtë lagje. Unë Gjorçe Petrovi në mes të Prishtinës?! E dija që nuk isha, por nuk e kuptoja se pse trupi flakë më shkonte kur më thoshin me këtë emër, pse trimërohesha dhe pse përpiqesha ta imitoj këtë “vojvodë”! Dhëndërr u futa si Gjorçe Petrov kurse dola si plak i urtë, dola me plane të qarta për jetë. Zoti ishte me mua.
Në mua vdiq Gjorçe Petrovi ! Tash e tutje, për të tjerët do të isha Sulejman Rexhep!” (Memoari nr. 2)
Nga kujtimet që i kanë mbetur nga sjellja e Mulla Rashitit, Sulejman Rexhepi përmend edhe rastin kur ky imam i kishte zënë me femra në një lokal të Prishtinës, atë së bashku me Adnan Eminovin dhe Vesel Dautin. Nuk është me interes për temën tonë se si ua shau nënën ky teolog. Ajo që është e domosdoshme të përmendet, se Sulejman Rexhepi pohon se “të tre hoxhallarët përfunduan si hyzmeqarë të UDB-së” (Memoari nr. 3).
Në memoarin nr. 28 Sulejman Rexhepi evokon shpërthimin e revoltës së vitit 1981 dhe mobilizimin e të gjitha strukturave politike dhe fetare për shkatërrimin e nacionalizmit shqiptar.
Ai pohon se “pas vitin 1981, të gjithë strukturat policore si dhe të zbulimit e të kundërzbulimit jugosllav u aktivizuan në luftë kundër nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar. Një luftë speciale po zhvillohej sidomos kundër mërgatës shqiptare e cila, e organizuar nëpër klube shqiptare, gjithandej qendrave evropiane, po i jepte krah dhe zemër seperatizmit shqitar në Kosovë si dhe nacionalistëve shqiptar në Maqedoni, Luginë të Preshevës si dhe në Mal të Zi. Nëpër organet gjegjëse ishte bërë një ristrukturim i kuadrit, nuk dihej se kush ku kishte shkuar dhe kush ku do të vinte. Në Maqedoni, neve shqiptarëve projugosllavë na e kishin sjellë, apo më mirë me thënë, na e nxorën përpara njëfarë Kire Fuzofski (Crni) ekspert në luftën kundër separatizmit shqitar. Çuditërisht, që në takimin tonë të parë, për njëri tjetrin e ndjemë një dashuri të veçantë shoqërore. Do të bëhemi miq për tërë jetën. Ai ishte shumë i sinqertë ndaj meje. Pas disa muajve, kërkoi t’ia kryej me besnikëri një shërbim shumë interesant dhe, që në fillim më tha se, nëse e kryej këtë punë atëherë do t’i kem të gjitha dyert hapur, do të jem më i respekturi dhe më i dashuri në repartin e tij. Meqë në Kosovë njiheshin të gjithë në mes vete dhe, ekspozimi i spiunëve apo i bashkëpunëtorëve ishte i vështirë, kërkonin që nga ne, shqiptarët e Maqedonisë, t’i kryejmë përcjelljet e nacionalistëve dhe të seperatistëve shqiptarë, meqë më pak kishim rënë në sytë e tyre”. (Memoari nr. 28).

Lini Një Koment