Filmi holandez me rrëfim e aktorë nga Kosova shkon në “Berlinale”

Historia e dy vëllezërve të cilët jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë do të shfaqet para publikut gjerman. Ekrani i madh i festivalit prestigjioz “Berlinale International Film Festival”, i cili do të ndizet më 17 shkurt për të shënuar edicionin e 68-të, do të shfaqë filmin “Kiem Holijanda”, në të cilin luajnë vëllezërit Florist dhe Andi Bajgora në role kryesore. Edhe Arbnesha Grabovci-Nixha e Shpëtim Selmani janë në kastën e aktorëve. Ky film me regji e skenar të Sarah Veltmeyer, është produksion holandez i mbështetur nga Fondi Holandez i Filmit. Por i tëri është realizuar në Kosovë dhe është në gjuhën shqipe.

“Kiem Holijanda”, 14-minutësh e me aktorë kosovarë, është bërë pjesë e garës në programin që ka “Berlinalja” për gjeneratat e reja “Generation Kplus” dhe “Generation 14plus”.

Qysh prej vitit 1978, “Berlinalja” i ka kushtuar një seksion të saj fëmijëve dhe të rinjve që e ka quajtur “Generation”. Në dy garat, prezantohen zbulime nga bota e kinemasë në një nivel më të lartë, ndërsa filmat më të mirë shpërblehen me “Crystal Bears”. Në faqen zyrtare të festivalit thuhet se përzgjedhja e këtij viti reflekton në zhvillimin kinematografik si dhe në gjendjen e tanishme socio-politike.

“Kiem Holijanda” është realizuar në vitin 2016, ndërsa premiera e tij është dhënë vitin e kaluar në Festivalin e Filmit të Holandës.

Në sinopsisin e filmit shkruhet se vëllezërit Andi (13) dhe Floristi (20) – të cilët janë vëllezër edhe në jetën reale – jetojnë në një fshat të varfër e të shkretë në Kosovë.

“Duke shitur qumësht ata fitojnë mjaftueshëm para për të mbajtur familjen. Kur Andi zbulon kartolinën e një ylli holandez të filmave pornografikë në dhomën e tyre, atij i duhet një telefon për ta parë atë. Ai është i obsesionuar me të, por nuk e vëren se vëllai i tij e ka zgjedhur pikërisht këtë ditë që t’i thotë lamtumirë”, shkruhet në sinopsis. Pikërisht emri i yllit është titulli i filmit.

Paraqitjen e parë në “Berlinale” Kosova e pati në vitin 2011 me filmin “Falja e gjakut” nën regji të Joshua Martson, i cili është i realizuar në Kosovë dhe ka kastën e aktorëve nga Kosova. Nëpër tepihun e kuq të “Berlinales” patën parakaluar aktorja Ilire Vinca e aktori Çun Lajçi. Filmi kishte marrë “Ariun e Argjendtë” për skenarin më të mirë. Vinca në Berlinale e përfaqësoi Kosovën edhe në filmin “Sworn Virgin”, nën regji të Laura Bispurit. Më 2016 filmi “Babai” nën regji të Visar Morinës u shfaq në kuadër të programit “Lola at Berlinale” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme