Flutura Açka: 10 librat që duhen lexuar nga letërsia shqipe

Pas humbjes të së birit të vetëm, shkrimtarja e njohur Flutura Açka i është rikthyer letërsisë, duke folur për herë të parë pas tragjedisë për MapoLetrare. Shkrimtarja është bërë pjesë e rubrikës që ky suplement letrar ka çdo javë, ku një personazh e autoritet i fushës së letrave zgjedh 10 librat më të mirë të letërsisë shqipe. Një përzgjedhje, e cila ka në fokus rikthimin e vëmendjes tek autorët shqiptarë, por dhe krijimin e një pasqyre të realitetit letrar e historik në vend. Më poshtë po botojmë rrëfimin e Flutura Açkës për MapoLetrare:

Martin Camaj do ta botonte romanin “Djella” më vitin 1958-të kur ishte ende në Romë. Ky është romani i parë i Camajt, ku dallohet poetika që paralajmëron poetin e ardhshëm. Vetë Ernest Koliqi në parathënien e kësaj vepre shkruan “Romanx apo dituer poetik?”, duke mos e fshehur dilemën në përcaktimin gjinor të kësaj proze. Personazhi kryesor në këtë libër, Bardhi, i ngjan disi Camajt në angazhimin e tij në arsim. Gjithë libri orvatet rreth refuzimit që Djella i bën dashurisë së Bardhit. Ky refuzim e shtyn djaloshin drejt letërsisë duke hedhur në letër vargje… Flutura Açka e zgjedh “Djellën” si një nga veprat në historinë e letërsisë shqipe, që nuk duhen humbur pa lexuar, si një ftesë për të njohur ndryshe Camajn. Më tej ajo ndalet tek Mitrush Kuteli, Migjeni, Kadare, Gjergj Fishta…Mira Meksi. Në listën e saj, harta e letërsisë shqipe është e plotë me autorë nga Maqedonia dhe Kosova si Luan Starova dhe Azem Shkreli. Më poshtë po botojmë 10 librat që shkrimtarja ua sugjeron lexuesve.

1.Mitrush Kuteli- E madhe është gjëma e mëkatit

Një nga prozat shqiptare me intensitet të lartë rrëfimi dhe një tribut për dashurinë gati të shenjtë burrë-grua.

2.Ismail Kadare-Kronikë në gur

Kronikë në gur, një nga veprat më magjike të retrospektivës njerëzore në përgjithësi dhe të botës shqiptare në veçanti, një shkollë leximi dhe shkrimi.

3.Migjeni-Vepra e plotë letrare

Çfarë do të ishte e shkuara e letërsisë shqipe pa Migjenin? Një shtëpi me pa kulm.

4.Vath Koreshi-Ulku dhe uilli

Rrallë ndodh të jesh i bekuar me talent dhe të dish ta përdorësh gjuhën në shkallën e epërme, këtu shqipja këndon.

5.Gjergj Fishta-Mrizi i Zanave

Një tufë vargjesh me një pasuri të patëdytë leksikore, që në kohën kur janë shkruar kanë qenë substancë e bërjes së Atdheut, vargje që shqiptarët e sotëm duhet t’i mësojnë përmendësh, po të mendosh forcat zhbërëse që na kërcënojnë.

6.Martin Camaj-Djella

Një nga prozat më të bukura të shkruara shqip prej një prozatori-poet, plot dritë dhe me gjuhë ngopëse, edhe prej pranisë së shpeshtë të poezisë në të.

7.Azem Shkreli-Zogj dhe gurë

Azem Shkreli është nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, mjeshtër i vargut dhe stilist i rrallë, autor që ka eksperimentuar shumë dhe padyshim është shkollë poezie.

8.Mira Meksi- Frosina e Janinës

Një nga veprat e rralla dhe të shkruara bukur ne zhanrin e romanit erotik, por njëherësh të zhanrit historik, për të cilin kemi shumë pak në historinë e letërsisë shqipe.

9.Luan Starova-Koha e dhive

Një nga veprat më të bukura të kolanës së Sagës Ballkanike, plot kolorit dhe me sfondin historik të dramës së njeriut që i duhet ta lërë tokën e tij. Padyshim një nga zërat më të rëndësishëm të letrave shqipe sot.

10.Flutura Açka- Ku je?

Një skaner thuajse shterues mbi diktaturën, për krizën e artistit në kushtet e deprimimit dhe izolimit dhe tribut për artin si arkivues i kujtesës historike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme