Franca ia bën të qartë Serbisë se s’ka BE pa një marrëveshje me Kosovën

Ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, ka thënë se Franca është shet mik i Serbisë dhe se miqtë e thonë të vërtetën, e ajo është se nuk do të ketë integrim të Serbisë në BE pa marrëveshje për Kosovën.

“Franca është shtet mik i Serbisë, dhe mes miqve thuhet e vërteta. Kështu, mendoj se presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë e dinë, dhe e di se edhe populli serb po ashtu e din, se nuk do të ketë integrim të Serbisë në BE pa marrëveshje për Kosovën”, ka thënë Mondoloni në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “FoNet”.

Ai ka sqaruar se stabiliteti rajonal duhet të ruhej, duhet të ndërtohet një paqe e qëndrueshme dhe duhet të plotësohen kushtet për pranim në BE, e ndër to është kapitulli 35 në bisedimet me BE-në.

“Për në marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 është shumë e rëndësishme, por duhet që Beogradi dhe Prishtina të zotohen”, ka thënë ambasadori francez, transmeton Koha.net.

Mondoloni ka bërë thirrje që t’i shkohet deri në fund dialogut me Kosovën, ndërsa e ka përshëndetur edhe dialogun e brendshëm në Serbi për të marrë parasysh mendimin e secilës palë për këtë temë.

“E di se ka qenë e paraparë ndërmarrja e disa hapave të rëndësishëm, por kjo tani ka dalë jashtë rendit të ditës me vrasjen e tmerrshme të Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Mondoloni, ndërsa kërkon që dialogu me Kosovën të vazhdojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Kjo është më shumë se kusht. Populli serb nuk do të duhej që të zgjidhte çështjen e Kosovës për të kënaqur BE-në, por për të ardhmen e tyre, në atë mënyrë që paqja të mbretërojë në rajon, që të ketë aktivitetet ekonomike dhe se fëmijët tanë dhe tuaj të mund të thonë se rrugët e së kaluarës janë prapa nesh”, u shpreh ai.