Fundi i konfliktit të ngrirë greko-maqedonas dhe i bllokadës 27 vjeçare

Shkupi dhe Athina sot nënshkruan marrëveshjen historike për emrin e fqinjit tonë jugor, me të cilën iu dha fund kontestit 27-vjeçar. Emri zyrtar i Maqedonisë prej sot do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ministrat e punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, sot në Psarades, në anën greke të Liqenit të Prespës, nënshkruan marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit që zgjati mbi një çerek shekulli për emrin e Maqedonisë dhe partneritet strategjik ndërmjet dy vendeve.

Fqinji ynë jugor, sipas kësaj marrëveshjeje, sot e tutje do të mbajë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, ose shkurtimisht – Maqedonia e Veriut.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë delegacione të larta të dy shteteve, të udhëhequra nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, si dhe më shumë përfaqësues të Bashkimit Ecropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndër të cilët ndërmjetësuesi i OKB në negociatat mes Shkupit dhe Athinës për pothuajse tri dekada, Metju Nimic, nënsekretarja për Çështje Poltiike e OKB-së Rozmari di Karlo, zëvendëskryetarja e Këshillit të Evropës Frederika Mogerini, komisari për Politikë të Jashtme i BE-së Johanes Han, si dhe përfaqësues diplomatikë në të dy vendet dhe një numër i madh gazetarësh.

Kryeministri maqedonas Zaev dhe homologu i tij grek Cipras, të cilët e quajtën njëri-tjetrin mik, thanë se dita e sotme është një ditë historike për të dy shtetet dhe të dy kombet.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e çështje së emrit dhe partneritet strategjik ndërmjet dy vendeve tona – ne zhvendosëm male. Sot u japim fund dallimeve shumëvjeçare që ngritën mur që i rëndonte marrëdhëniet miqësore ndërmjet fqinjëve”, tha Zaevi.

Ai iu drejtua edhe kundërshtarëve të kësaj marrëveshjeje, të cilët i porositi se “koncepti evropian është vlerë qytetëruese që është demokratike dhe që kundërshton popullizmin dhe frikën.

“Evropa është më e fuqishme se frika. Grekët, maqedonasit, evropianët janë më të fuqishëm se frika”

Zaevi posaçërisht falënderoi shefat e shteteve dhe qeverive të shteteve fqinje, për të cilët tha se “inkurajimi dhe ndihma e tyre ishin vendimtare në momente të caktuara”.

Kolegu i tij grek, Cipras, takimin në Prespë e quajti “takim me historinë”, për shkak të rëndësisë historike të rajonit.

“Sot gjendemi këtu duke e shikuar historinë në sy, gjendemi këtu që të dy ta kryejmë detyrën tonë patriotike”.

Ai e quajti marrëveshjen “patriotike“ dhe i thirri qytetarët e të dy vendeve që ta pranojnë pa paragjykime.

Të dy kryeministrat posaçërisht falënderuan ndërmjetësuesin e OKB-së në kontestin për emrin, Metju Nimic i cili pikërisht në ditë të sotme e ka ditëlindjen. Të dy kryeministrat e uruan Nimicin dhe thanë se besojnë se nënshkrimi i marrëveshjes me siguri është një dhuratë e bukur për ditëlindjen e tij.

Takimi zyrtar i dy delegacioneve pas nënshkrimit në anën greke, vazhdoi në anën maqedonase të Liqenit të Prespës, në Oteshevë, me bisedime bilaterale dhe drekë solemne.

Marrëveshjen e përshëndetën të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe vetë Brukseli zyrtar, si dhe Uashingtoni zyrtar, kreu i NATO-s, qendra të tjera botërore, si Moska e të tjera, përfshirë edhe krerët e Kosovës, Shqipërisë dhe shteteve tjera fqinje me të dy vendet.

Kundër marrëveshjes u ngritën nacionalistët dhe partitë opozitare të të dy vendeve, të cilët qeveritë aktuale, secila palë të vetën, i quajtën tradhtare dhe i akuzuan se i kanë shitur interesat kombëtare. Në të dy vendet pati edhe demonstrata, por, sipas raporteve të medias, jo me ndonjë intensitet shumë të madh.

Një tentim të pasuksesshëm për të penguar nënshkrimin e  sotëm, sipas raporteve të medias, një grup nacionalistësh grekë kishte pasur edhe gjatë ditës së sotme.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Greqia u zotua se do t’i zhbllokojë integrimet euroatlantike të Shkupit.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme