FYROM: Fundi i komplotistëve dhe i nacionalistëve!?

Në FYROM nisi fillimi i fundit të partive etnonacionaliste dhe i politikave të tyre komplotiste. Maqedonasit sllavë e ndëshkuan njeriun e tyre, të profilit neofashist Nikola Gruevski, kurse shqiptarët “dezertuan” me shumicë nga kampi etnonacionalist tek socialdemokratët e Zoran Zaevit. Shqiptarët në këtë republikë ish-jugosllave kanë humbur disa ulëse në Kuvend, porse janë në rrugë të mirë që të fitojnë kredi politike. Vetëbesim. Analistët në Shkup po thonë se mbi 50 mijë shqiptarë e kanë votuar LSDM-në, ndërsa merret vesh se vetëm dy deputetë shqiptarë kanë fituar ulëse nga ky grupim politik.

Grupimi politik etnonacionalist i maqedonasve sllavë VMRO-DPMNE , drejtuar nga Nikola Gruevski, ka dalë i pari me 52 deputetë, dy më shumë se socialdemokratët e Zoran Zaevit, kurse BDI-ja e Ali Ahmetit është përgjysmuar, përderisa PDSH-ja e Menduh Thaçit pothuajse ka pësuar fiasko me vetëm dy deputetë, duke i “lëshuar” hapësirë Lëvizjes Besa, që disa zëra e cilësojnë si organizatë të financuar direkt nga Ankaraja zyrtare.
Mirëpo hiç më mirë nuk ka kaluar as grupimi nacionalist shqiptar i modës më të re (Aleanca për Shqiptarët) që fituan vetëm tri ulëse në Kuvend.

Kur kësaj i shtohet e dhëna se mbi 50 mijë shqiptarë kanë votuar socialdemokratët e Zaevit, del se në këtë shtet ka nisur fundi i partive entonacionaliste (njëetnike) dhe fillimi i kontrollit të shtetit nga partitë qytetare, që mund të sjellin deetnizimin e shtetit, pra mbijetesën e tij…

Shqiptarët në FYROM kanë humbur ulëse në Sobranje, nëse shikohen numrat nga zgjedhjet e kaluara kombëtare, porse ata kanë fituar vetëbesim dhe fuqi politike, që u jep sinjal se mund ta ndryshojnë veten dhe shtetin që është edhe i tyre, Maqedoninë.
Ata janë gjendur përballë një situate të re që mund të ndryshojë thelbësisht qasjen e shqiptarëve ndaj shtetit duke i dhënë atij lojalitet e besnikëri, si dhe mund ta rrisin respektin për veten e tyre, sepse, përfundimisht, shqiptarët po u dalin nga dora manipuluesve etnonacionalistë si Ali Ahmeti, i cili në emër të shqiptarizmit i ka devijuar interesat imediate të qytetarëve shqiptarëve duke i dhënë fuqi regjimit të modeluar si fashizëm i kamufluar i Nikola Gruevskit.
Jo vetëm pas këtyre zgjedhjeve, porse shqiptarët që nga zgjedhjet e vitit 2006 janë pjesë e qeverisjes së shtetit pa emër ndërkombëtar (evidencohet si Former Yougoslav Republic of Macedonia,FYROM) mirëpo ata nuk kanë arritur që “ta zbusin” qasjen diskriminuese të shumicës maqedonase ndaj shqiptarëve, së pari duke mos i arritur asnjëherë objektivat që dalin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, dhe së dyti, duke mos arritur që gjuhën shqipe ta ngrenë në nivel të gjuhës zyrtare në shtet.

Pas këtyre zgjedhjeve, ashiqare duket se gjërat po ndërrojnë në këtë shtet. Fuqia e madhe politike e nacionalistëve të rinj të Shkupit po bie, sepse qytetarët po vetëdijesohen dhe ata kanë gjithnjë e më tepër kërkesa ekonomike dhe integruese, duke mos pranuar më që të jenë vetëm mbështetës të politikave antishqiptare brenda dhe bllokuese ndaj integrimeve në planin e jashtëm.

Pra, vota për socialdemokratët (vetëm dy deputetë më pak se nacionalistët) dëshmon se qytetari maqedonas po lëviz në kahun e duhur, duke kërkuar dalje nga humnera ku e ka katandisur nacionalizmi me elemente fashiste i Gruevskit.
Formalisht Gruevski ka dalë fitues i zgjedhjeve në rrafsh kombëtar, mirëpo ai nuk mund të mbajë qeveri stabile me dhjetë numrat e Ahmetit, sepse ajo Qeveri do të ishte “tigër prej letre” së këndejmi lehtësisht e rrëzueshme!?

Porse rizgjedhja e tij për kryeministër do ta shpjerë këtë shtet në dhunë, sepse mbijetesa e tij politike sigurohej përmes shpatës, dhe dihet, kush jeton nga shpata, nga ajo edhe vdes!
Porse sa ka gjasa që Zaev me shqiptarët të jetë ndërtues i Qeverisë së re!?
Nëse Zaev e merr me vete në Qeverinë e re edhe BDI-në e Ali Ahmetit, atëherë ku është ideja e fitores së socialdemokracisë dhe e ndryshimit në këtë vend?

E vetëm me Lëvizjen Besa dhe me dy partitë e tjera të shqiptarëve socialdemokratët nuk mund të qeverisin!
Dhe situata na del shumë e komplikuar.
Me sa duket (në ndërkohë mund të ketë lëvizje të reja, sepse zgjedhjet mund të përsëriten në disa qendra votimi) Gruevski do të përpiqet që pos partisë së Ali Ahmetit (e afërt me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si derivat i LPK-së) të provojë ta fusë në orbitën e tij edhe Lëvizjen Besa, e cila del të jetë e afërt me Recep Tayp Erdoganin, mirëpo opozita këtë herë do të jetë aq e fuqishme, saqë me 66 numra në Kuvend, përballë 64 (sa supozohet të ketë LSDM-ja së bashku me dy grupimet e tjera të shqiptarëve) Qeveria nuk mund të qëndrojë në këmbë as gjashtë muaj!?
Sidoqoftë, këto zgjedhje në FYROM ishin test se epoka e Gruevskit ka përfunduar, por ai ende nuk mund të nxirret nga historia, së këndejmi duhen zgjedhje të tjera të parakohshme, pas një motmoti?

Që do të thotë se qytetarët e Maqedonisë do të dalin me vetëbesim të rritur për ta përmbysur regjimin e Gruevskit, i cili, pos qeverisjes përfituese, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 20 mijë qytetarë, ka qenë i përfshirë në komplote, si në rastet “Monstra” dhe “Sopot”, pastaj në komplotin në Kumanovë, përmes të cilit Gruevski në bashkëpunim me grupe nacionalistësh të rajonit ishte përpjekur që ta zhvendoste vëmendjen e publikut nga këto afera dhe nga qeverisja e tij përmes spiunazhit dhe klienteles.

Komplotet në të cilat ishte e përfshirë Qeveria e Shkupit, përkatësisht Gruevski dhe shërbimet sekrete, përgjimet masive të qytetarëve, goditja e shqiptarëve në rastet “Monstra” dhe “Kumanova”, kanë bërë që BDI-ja të shihet si aleate e Shkupit zyrtar në vrasje, prandaj shumë shqiptarë kishin vendosur që përfundimisht t’ia kthenin shpinën Ali Ahmetit, “komandantit Abaz Gjuka”, i cili madje e humbi me këtë hov vetë qendrën ku filloi rebelimi i shqiptarëve kundër shtetit të padrejtë të maqedonasve sllavë, Tanushën!
Vota e këtushme për një parti të shumicës maqedonase, ndaj të cilëve ishte bërë një kryengritje e armatosur, është dëshmia më e pabesueshme se shqiptarët në Maqedoni nuk duan të mbesin pengje të së kaluarës, e sidomos jo të retorikëve politike kuazipatriotike dhe etnonacionaliste të Ali Ahmetit, por as të nacionalistëve të tjerë si Thaçi e Sela.

Në anën tjetër, “grupimi proislamik” fitoi pesë ulëse në Sobranje, po ashtu si reflektim i mosbesimit të thellë tek nacionalistët e Ahmetit, të cilët në raport me fenë islame kanë mendësi restriktive. Mirëpo idetë e tyre politike do të bëhen së shpejti publike. Nëse ata do t’i bashkohen dyshes Gruevski dhe Ahmeti, do ta irritojnë edhe më shumë elektoratin shqiptar në Maqedoni; nëse ata do të rrinë në opozitë, vështirë se do të mbijetojnë vetëm duke bërë dua nëpër xhamitë e fshatrave të humbura të Maqedonisë!?
Ajo që shënon kthesën në Maqedoni është pa dyshim rënia e madhe e Gruevskit, si dhe përgjysmimi i BDI-së (kjo të bën ta mendosh një lidhje shkakësore me PDK-në pas zgjedhjeve në Drenas!?), pra ka ndodhur deplasimi i retorikëve nacionaliste dhe kombëtariste në shtetin nominalisht qytetar.

Bash në momentin kur Ulrike Lunacek kritikoi ashpër BE-në se po toleron qeveri të korruptuara dhe nacionaliste në Ballkan.
Në këtë kontekst ajo tha me pak fjalë se Maqedonia e epokës së Gruevskit po fundoset në moçalin nacionalist.
Në rajonin e Ballkanit duket se po rizgjohen idetë e së majtës politike, (jo komunizmat etatistë siç ishte partia e Gligorovit dhe e pasardhësit Cërvenkovski, ose siç është ajo e Ramës në Shqipëri si pasardhëse e Partisë së Punës), porse ide të modeluara si demokraci në mbrojtje të njeriut, pra humanitetit, kryesisht nën moton e socialdemokracisë: “Beteja vazhdon – vota fiton”!

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme