Gjenerali kroat i ndjek viktimat e veta edhe në varr

Shoqata e Gjeneralëve Kroatë i ka ngritur përmendoren e varrit gjeneralit “të çmendur” Ivan Korade në të njëjtën varrezë ku prehen edhe viktimat e tij, njoftojnë mediat kroate.

Përmendorja e këtij gjenerali është më e madhja në tërë varrezën, për ç’arsye familjet e viktimave të tij, të cilat s’kanë marrë kurrfarë dëmshpërblimi për humbjen që kanë pësuar, sërish po përjetojnë çaste tmerri, lajmëroi RTL, transmeton Gazeta Express.

Korade gjatë luftës në Kroaci ka qenë komandant i Brigadës VII gardiane “Pumat”, ndërsa në publik u bë i njohur me atë që gjatë operacionit përfundimtar për çlirimin e Kroacisë nga pushtuesit serbë, “Stuhia”, ndër të parët hyri në qytetin e Kninit, ku në kështjellën e atjeshme ngriti flamurin kroat.

Për meritat e tij të luftës ishte i çmuar ndër bashkëluftëtarët e brigadës, si dhe ndër kolegët nga Shoqata e Gjeneralëve, por gjithashtu ishte i njohur edhe për sjelljen e dhunshme, që rregullisht ndodhte kur ishte në gjendje të alkoolizuar.

Në gusht të vitit 2007 mori pjesë në incidentin në një kafiteri në Varazhdin, ku pat hyrë i armatosur me revole. Fatmirësisht, masakra e mundshme atëherë u evitua, ndërsa gjenerali u rrah keq kur iu thye nofulla dhe eshtrat e hundës dhe të fytyrës.

Para dhjetë viteve, Korade në Zagorje me breshëri nga pushka automatike vrau Mario Kusaniqin, policin i cili ishte pjesë e ekipit policor që kishte për detyre ta arrestonte. Pas kësaj bëri vetëvrasje, duke e qëlluar veten në kokë.

Kësaj i parapriu një gjakdershje e tmerrshme e shkaktuar nga Korade. Natën mes 26 dhe 27 marsit 2008, pasi që kishte vrarë ish-bashkëluftëtarin dhe mikun, 36-vjeçarin Davor Petrish, me të shtëna nga revolja vrau 16-vjeçarin Goran Hudiq, gjyshen e tij 62-vjeçare Cecilija Hudiq dhe 64-vjeçarin Franjo Kos. Më lehtë kishte plagosur 59-vjeçarin Vlado Knok.

Krimet u zbuluan mëngjesin e 27 marsit, kur Korade veçmë ishte në arrati dhe i pakapshëm për policinë. Kërkimi dhe ndjekja e tij zgjatën tetë ditë, ndërsa përfunduan me vetëvrasjen e tij.

 

Lini Një Koment