Gjukanoviq: Nuk ia morëm Kosovës asnjë metër tokë

17:59, 6 Shtator 2016  / Sakte.net

 

gjukanoviq

 

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka thënë se shteti i tij nuk është i interesuar për asnjë metër të territorit të ndonjë shtetit tjetër.

Ai ka shtuar se këtë princip Podgorica e ka ndjekur edhe në rastin e ratifikimit të kufirit me Kosovën, e po ashtu edhe me fqinjtë tjerë.

“Dua të them se Mali i Zi ka bërë krejt çfarë ka qenë në përgjegjësinë e vetë si shtet. Dy komisionet shtetërore dhe puna tri vjeçare kanë dëshmuar se demarkimi është bërë në interes të të dyja palëve”, ka thënë Gjukanoviq pas një vizite në Ulqin, njoftojnë mediet në Podgoricë, përcjellë Klan Kosova.

Sipas tij, gjithçka në lidhje me demarkacionin është bërë sipas parimeve që janë respektuar dhe vlejnë ende për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

“Mali i Zi nuk ka interes për asnjë metër katror të territorit të askujt, pos territorit të tij….Ajo që dua t’ju konfirmoj është se nuk kemi mosmarrëveshje me qeverinë e Kosovës as edhe për një prejse”, ka thënë Gjukanoviq gjatë një adresimi gazetarëve në Ulqin.

Shefi i qeverisë së Malit të Zi ka thënë se telashet me demarkacionin janë vetëm problem i mbrendshëm politik i Kosovës.

“Mendoj se ky problem duhet të zgjidhet vetëm atje”, ka vazhduar ai. “Ne jemi gati të presim që ky problem të zgjidhet”. /Klan Kosova