Gjuriq nuk mund të hyjë në veri, Kosova nuk i jep leje

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, paralajmëroi se nesër do të mundohet të jetë në veri të vendit, ditën kur qytetarët atje do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e katër komunave.

Në një intervistë për televizionin shtetëror serb, Gjuriq ka thënë se njerëzit e zyrës së tij në vazhdimësi janë në kontakte me serbët e Kosovës dhe i vizitojnë çdo ditë, shkruan lajmi.net.

Por, Gjuriq as kësaj radhe nuk i ka përfillur institucionet e Kosovës për të kërkuar leje për hyrje në Kosovë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të punëve të jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se kërkesa për vizitë nuk mund të aprovohet

“Kërkesa për vizitë nuk aprovohet ngase nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit”, tha Zyberaj për lajmi.net.

Gjuriq gjithashtu tha se po tentohet që të frikësohen votuesit serbë duke dërguar në komunat veriore një numër të madh policësh shqiptarë.

Ai deklaroi se këto zgjedhje janë të rëndësishme pasi mbrojnë interesat e Serbisë.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve.

Vlen të theksohet se gjatë një vizite vitin e kaluar në Kosovë, Marko Gjuriq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Lini Një Koment