Gjykata e Apelit ende pa vendim rreth rasteve ‘Drenica’ (Video)

Ka katër muaj që kanë përfunduar seancat dëgjimore në rastet gjyqësore Drenica I e Drenica II, por të dënuarit në këto dy raste nga shkalla e parë ende nuk e dinë se çfarë vendimi do të ketë Gjykata e Apelit për ta.

Në fakt kjo instancë e drejtësisë nuk e ka publikuar aktgjykimin sipas afateve ligjore, e që do të duhej të ndodhte gjatë gushtit.

Në një përgjigje për Klan Kosovën, zëdhënësi i kësaj gjykate Arbër Jashari ka thënë se vendim nuk është nxjerrë për shkak se gjykatësit e EULEX-it, për një kohë kanë ngelur pa mandat dhe nuk kanë mundur të marrin as një veprim procedural në këtë lëndë.

Ai ka bërë me dije Apeli do të publikojë vendimin brenda këtij muaji, por vetëm palëve gjykata nuk u ka dhënë as një arsye.

Për avokatin e Sami Lushtakut, këto vonesa janë në kundërshtim me rregullat juridike.

Në fakt në Gjykatën e Apelit janë ankuar të gjithë avokatët e të dënuarve në rastin e njohur si Drenica I e Drenica II. Ndërkohë të njëjtën gjë e ka bërë edhe prokuroria që ka ngelur i pakënaqur me lartësinë e dënimeve. Të dyja rastet kanë të bëjnë me krime lufte.