Gjykata Speciale mund ta dëmtojë PDK-në dhe jo vetëm

Deputeti i PDK –së, Shukri Buja, në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka nënvizuar  faktin, se përse e ka amnistuar Hashim Thaçin nga meritat për  ndaljen e trenit serb. Sipas tij, ishin ndërhyrjet e BE –së, ato që çuan në ndaljen e trenit. Më tej ai ka treguar edhe marrëdhënien e tij me zyrtarin policor Nehat Thaçin, për të cilin me herët, Buja, kishte deklaruar se Thaçi kishte gënjyer në lidhje me pjesëmarrjen në UÇK.  Gjithashtu ai ka folur edhe për hetimet ndaj tij, për fshehje të pasurisë, për  “pushtimin” e politikës me njerëz me aktakuza për korrupsion si dhe për Gjykatën Speciale dhe njerëzit e partitë që ajo prek. Buja, është shprehur pro vazhdimit të dialogut me Serbinë, duke kundërshtuar kështu qëndrimin e Opozitës.

Bota Sot: Ju keni hedhur poshtë, deklaratën e Hashim Thaçit se trenin e  ndali ai. Perse?

Shukri Buja: Realisht unë nuk e kam hedhur poshtë deklaratën e Hashim Thaçit apo të ndonjë personaliteti të Kosovës, por unë e kam dhënë realitetin politik që ka ndodhur në këtë rast. Treni u ndal në Rashkë nuk është ndalur në kufi me Kosovën, prandaj kam theksuar faktorët që ndikuan në ndaljen e trenit. E faktorët që kanë ndikuar janë institucionet e Kosovës që morën vendime kushtetutore , janë intervenimet e BE-së, përmes përfaqësuesve të saj, dhe faktorët tjerë, siç është përfolur për Erdoganin dhe përfaqësues të shtetit Amerikan dhe shumë faktorë tjerë që ndikuan për tu ndalë treni. Pra nuk e ndalën Institucionet e Kosovës, në ndaljen e tij por  vetëm kanë ndikuar.

Bota Sot: Gjatë kohës së arrestimit, zyrtari i  lartë i policisë së Kosovës, Nehat Thaçi u deklarua në Gjykatë se nuk kishte qenë pjesë e UÇK -së, ndërkohë ju ne Kuvendin e Kosovës, u deklaruat se Thaçi ka gënjyer. Si ta kujtojmë këtë reagim tuajin?

Shukri Buja: Unë nuk kam thënë se Thaçi, ka gënjyer në lidhje me këtë çështje  rreth deklaratës të zyrtarit të lartë të policisë së Kosovës, Nehat Thaçi , sepse në këtë rast mund të shihni edhe transkriptin në Kuvendin e Kosovë. Por, unë kam theksuar një çështje që ka qenë reale se z. Thaçi ka qenë ushtar i UÇK-së. ndërsa mbrojtja, e tij ka pretenduar se mund ta mbrojë përmes asaj, duke e mohuar se ka qenë ushtar i UÇK-së. Me z. Thaçi pas çlirimit kemi komunikuar dhe ai është falënderuar për mbrojtjen e dinjitetit të tij si ushtar i UÇK-së.