Gjykimi ndaj Shukri Bujës pritet të përfundojë në muajin e ardhshëm

Procesin gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, si dhe ndaj nëntë të akuzuarve të tjerë për korrupsion, gjykata po planifikon që ta përfundojë deri në muajin e ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore. Së paku kështu ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, të enjten me të filluar shqyrtimi kryesor. Ky rast është duke u trajtuar me prioritet pasi është i shënjestëruar për liberalizimin e vizave.

Pikërisht për këtë ka reaguar edhe mbrojtja e Bujës, duke thënë se gjykata po tenton ta përfundojë lëndën me nguti.

Gjatë kësaj seance është prezantuar fjala hyrëse, si dhe janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Në shkurt të vitit të kaluar, Buja është akuzuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për marrje ryshfeti. Edhe tetë ish-zyrtarët komunalë: Hasim Viseshella, Edmond Rexhepi, Bajram Rizani, Driton Avdiu, Burim Kodra, Nebih Zeqiri, Halit Gashi e Magbule Sadiku akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lini Një Koment