Golovkin fiton titullin e botës, por tregon moshën e vërtetë

Boksieri nga Kazakistani, Gennadiy Golovkin ka fituar sërish titull të botës në kategorinë e mesme. Ai i është gëzuar titullit të ri, pas dominimit historik që kishte në peshën e mesme të boksit profesionist.

Gjatë dominimit, Golovkin arriti rekord prej 20 mbrojtjeve rresht të titullit të kampionit, seri kjo që u mbyll me humbjen kontroverse nga Canelo Alvarez, 13 muaj më parë.

Ylli i boksit, Golovkin, fitoi titull të ri të shtunën mbrëma në “Madison Square Garden” të New Yorkut, por beteja e tij me ukrainasin Sergiy Derevyanchenko, mund të jetë më e vështira e karrierës së tij. Rezultati i meçit pretendent që të shpallet më i miri i vitit do të diskutohet për kohë të gjatë, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”.

Golovkin fitoi me vendim unanim titullin vakant të versionit IBF para 12.577 shikuesve, mirëpo ai sigurisht se nuk dukej shkatërruesi që kishte qenë për kohë të gjatë.

Gjyqtarët Frank Lombardi dhe Eric Marlinski vlerësuan luftën 115:112, ndërsa Kevin Morgan 114:113, të gjithë në favor të Golovkinit. Golovkin e rrëzoi Derevyanchenkon në raund të parë dhe i shkaktoi një plagë te syri i djathtë në raund të dytë, por kazaku pati vështirësi të përballonte ukrainasin e palodhshëm në pjesën më të madhe të luftës. Derevyanchenko ka dështuar për herë të dytë që të fitoj një titull në peshën e mesme.

Në pjesën më të madhe të meçit dukej sikur “Madison Square Garden” do të jetë arenë e një befasie të dytë të madhe në katër muaj, pasi që Andy Ruiz Jr i rrëmbeu tre tituj të botës në peshën e rëndë duke e nokautuar në këtë arenë britanikun Anthony Joshua në raundin e shtatë më 1 qershor.

Por, nuk ndodhi, ndonëse ekipi i Derevyanchenkos u ankua duke thënë se boksieri i tij ka fituar luftën që ishte aq brutale saqë të dy boksierët u dërguan në spital për kontroll të mëtutjeshëm në vend se të paraqiteshin në konferencë për media.

Lini Një Koment