Grabitet një bankë në Prishtinë, tre persona në kërkim

Tre persona të armatosur  sot rreth orës  15:10, kanë kryer një grabitje në filialin e një banke në lagjen Veternik  në Prishtinë.

Policia e Kosovës bën të ditur se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni specialist për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore, për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

“Mbështetur në informatat e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet,  dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga tre persona të dyshuar, të cilët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Nga gjithë kjo ngjarje nuk ka pasur persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të dyshuarit, sipas policisë, pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash,  me shpejtësi me një veturë të dyshuar, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Për të konfirmuar shumën e parave të grabitura policia është duke punuar ngushtë me zyrtarë të bankës.

Aktualisht policia e mbështetur edhe nga prokurori i shtetit po punon me përkushtim për të identifikuar  të dyshuarit e mundshëm, veturën me të cilën janë larguar si dhe vendndodhjen e tyre./IndeksOnline/