Gracka që po i përgatitet Vjosa Osmanit nga Lutfi Haziri dhe Agim Veliu!

Xhevdet POZHARI

Shumëkush u befasua se pse LDK nuk pranoi ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion parazgjedhor, veçanërisht kur në shikim të parë ajo ishte gjeneroze dhe teknikisht ia jepte të gjitha përparësitë partisë së Isa Mustafës. Kandidatja e tyre, Vjosa Osmani do ta kryesonte listën, ndërsa Albin Kurti kishte pranuar të ishte në renditje pas saj.
Shpjegimi është i thjeshtë: në listën e përbashkët Kurti do të fitonte më shumë vota se Osmani, edhe për arsyen se do të kishte votues të LDK-së që kanë simpati për liderin e Vetëvendosjes dhe në një listë të përbashkët nuk do të hezitonin ta votonin. E kundërta do të ndodhte me taborrin tjetër, votuesit e Vetëvendosjes nuk do ta votonin as Vjosën e as ndonjë LDK-ist tjetër. Por, kjo është vetëm një nga arsyet se pse këto parti nuk u bënë bashkë nëse sinqerisht donin që ta ç’kapnin shtetin nga PDK-ja.

Arsyeja e vërtetë e cila minoi mundësinë e një fitoreje bindëse dhe të sigurtë ishin ambiciet politike të “pleqve të LDK-së”, Agim Veliu e Lutfi Haziri. Fillimisht, plani i tyre ishte që dy pozitat kryesore: kreun e partisë dhe kandidatin për kryeministër ta ndanin midis vete, sidomos kur të dy vijnë nga qytete ku fitorja e tyre përbrenda komunave është rikonfirmuar disa herë. Si kuadro që kanë kaluar nëpër të gjitha etapat e tranzicionit të LDK-së, Haziri dhe Veliu natyrshëm besonin se tani kishte ardhur koha e tyre për t’u vënë në ballë të partisë. Por, kompromisi i Vjosa Osmanit me Isa Mustafën bëri që ky plan i tyre të prolongohej. Isa Mustafa do të ishte “kryetari i stabilitetit”, ndërsa Osmani mbulesa e të gjitha mospajtimeve në prag fushate kur partitë e tjera, veçanërisht PDK-ja, me padurim priste përplasjen e karrigeve.

Veliu dhe Haziri përnjëherë e kuptuan se nuk janë “aksionarët kryesorë” në parti, se krahu i Isa Mustafës nuk ishte aq i brishtë sa që e kishin menduar, ndërsa të rinjtë e rreshtuar pas Vjosës nuk ishin aq naivë siç i kishin nënvlerësuar.

Vjosa u bë kandidate për kryeministre e LDK’së, koalicioni parazgjedhor me Vetëvendosjen dështoi. Plani i dyshes Haziri-Veliu filloi të jetësohej! Ata duhej të angazhoheshin që LDK-ja të del partia e parë, por jo edhe Vjosa të jetë kandidatja më e votuar për kryeministre. Kjo për faktin më të thjeshtë: në rast të fitores së LDK-së, Vjosa Osmani të ketë merita minimale në fitoren e partisë dhe Veliu e Haziri të jenë zërat kryesorë që do të vendosnin për koalicione paszgjedhore, por në rast të humbjes së LDK-së, dështimi t’i përshkruhet tërësisht kandidates për kryeministre dhe ekipit që ajo përfaqëson.

Edhe Veliu, edhe Haziri, madje edhe vetë Vjosa Osmani e dinë se Albin Kurti do të del kandidati më i votuar për kryeministër. Pesha e tij politike e zhvilluar natyrshëm ndër vite, parimet dhe lufta ndaj pushteteve të korruptuara, e vënë atë në epërsi të madhe ndaj kundërkandidates së vetme serioze në këto zgjedhje, e cila veprimtarinë e saj politike e zhvilloi nga kabinetet e kryetarëve të LDK-së, fillimisht tek Fatmir Sejdiu, e më pas tek Isa Mustafa. Albin Kurti më së paku e pati të shtruar karrierën politike me tepih të kuq. E kuqe ishte vetëm ngjyra e gjakut e përgjakjes së tij nëpër protesta bashkë me shumë aktivistë të cilët kundërshtonin pakompromis hajninë dhe nepotizmin, si dhe marrëveshjet e dëmshme me Serbinë. Për dallim nga politikat konformiste në emër të “proceseve”, nga të cilat përfituan karrierë politike, përkohësisht, disa emra të përveçëm.

Andaj, fitorja e Albin Kurtit është garanca e vetme që pas 6 tetorit nuk do të ketë bashkëqeverisje me PDK-në, plan të cilin me padurim presin ta jetësojnë dyshja Veliu-Haziri në rast se iluzioni i përkohshëm i krijuar me Vjosa Osmanin arrinë të shtrihet suksesshëm si mjegull për të mbuluar realtetin e shëmtuar përbrenda LDK-së ku dy “ujq të vjetër” kanë mprehur dhëmbët për të shqyer disa “qengja të rinj”!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme