Grekët e marrin shëndetin në duart e tyre

Të zhgënjyer nga sistemi shëndetësor publik, disa grekë po shkëmbejnë ilaçe apo po i shmangin ilaçet, duke e vënë shëndetin e tyre në dorë të një industrie në rritje suplementesh ushqimore.

Në pamje të parë, Vasiliki Katsoula dhe Konstantinos Karaouzas kanë pak ngjashmëri.

Katsoula është një grua 48 vjeçare e bëshme, në depresion, pa punë dhe në prag të varfërisë që banon në një lagje plot probleme në Athinë.

Karaouzas është një notar paraolimpik 39 vjeçar, nga një lagje e pasur e kryeqytetit, shpatullgjerë dhe me një mjekër me thinja.

Megjithatë, ata kanë një gjë të përbashkët – që të dy ndjehen se janë braktisur nga sistemi grek shëndetësor drejt rrënimit dhe e kanë marrë shëndetin në duart e tyre.

Pasi humbi vendin e punës si pastruese dhe bashkë me të, edhe sigurimin shëndetësor shtetëror në vitin 2010, mjeti i zgjedhur nga Katsoula është një thikë kuzhine, me të cilën ndan dhe racionon ilaçet të cilat ajo dhe prindërit e saj i përdorin për hipertension, sheqerin në gjak, kolesterolin, depresionin e të tjera.

“Kam presion të lartë gjaku, a mund të përballoj çmimin e ilaçeve?” pyet Katsoula në shtëpinë modeste të familjes së saj në Aspropirgos, një zonë e Athinës e mallkuar me rafineri nafte dhe e njohur për nivelin e krimit dhe varfërisë.

Katsoula thotë se familja e saj jeton më së shumti me pensionin prej 900 euros të babait të saj, pension që është ulur nga 1,300 euro që qe para se qeveria të shkurtonte pensionet, por shpenzon disa qindra euro në muaj për ilaçe. “Ne tani i detyrohemi farmacistëve 200 euro,” tha ajo.

“Unë i marr hua [ilaçet] nga nëna ime. Por më duhet të llogaris dozën për veten dhe të sajohem. Në disa raste i pres pilulat me thikë. Në disa raste nuk i pi fare ilaçet.”

“Nëna dhe babai im kanë të përbashkët ilaçet e kolesterolit; nëna ime i merr 10 miligramëshe ndërsa babai, 20, kështu që kur i mbarojnë nënës, i ndaj më dysh ato të babait me thikë që t’ia jap asaj.”

Karaouzas, në anën tjetër, thotë se atij i ka ardhur në majë të hundës nga mungesa e kohës, burimeve dhe specialistëve për trajtimin e njerëzve me aftësi të kufizuara në spitalet e varfra publike dhe është lodhur nga fakti që mjekët i japin me tepri dhe vazhdimisht antibiotikë për infeksionet e rrugëve urinare, infeksione që i rikthehen shpesh.

Në vend të tyre, ai ka filluar të besojë te suplementet ushqimore, në rastin e tij, një kombinim i ekstraktit të aloe veras me kolagjenin, një proteinë që gjendet në kyçet e njerëzve.

“Doli shumë e mirë për mua, për lëkurën time… dhe për kyçet,” tha Karaouzas për aloe verën. “Dhimbjet më janë pakësuar. Dhe më ka ndihmuar shumë edhe për sistemin tretës.”

Katsoula dhe Karaouzas përfaqësojnë një tendencë në rritje në Greqi drejt vetë-mjekimit, ose më saktë, drejt improvizimit, pas gjashtë vitesh të krizës që konsiderohet si një nga më të rëndat në kohën tonë.

Disa grekë, si Katsoula, e gjejnë veten duke ndarë ilaçe, duke mos pirë ilaçe apo duke zëvendësuar apo improvizuar pothuajse çdo ditë. Të tjerë, si Karaouzas, po i kthehen industrisë në rritje të suplementeve ushqimore që shiten pa recetë, e cila ka parë një mundësi biznesi në mes të krizës së kujdesit shëndetësor publik.

“Ose improvizojnë, ose nuk i marrin fare ilaçet, ose reduktojnë dozën”
Giorgios Vichas, themelues i ‘klinikës së solidaritetit’
Ata kanë refuzuar, ose ndjehen të refuzuar nga sistemi i shërbimit shëndetësor publik, i cili është i nënfurnizuar, i mbingarkuar me punë dhe me pak para, pasi fondet për të u shkurtuan me 60 për qind mes viteve 2010 dhe 2014.

“Shumë pacientë marrin ilaçet e gabuara, ose për shkak se i kanë mbetur nga një anëtar familjeje, ose për shkak se nuk mund të përballojnë të blejnë ilaçet e duhura,” thotë Giorgos Vichas, një kardiolog, themelues i Klikinës Komunitare Metropolitane, një ‘klinikë solidariteti’ që drejtohet nga vullnetarë në Athinë dhe që shpërndan ilaçe të dhuruara falas për shumë grekë.

“Është një fenomen shumë i shpeshtë te klinika e solidaritetit që pacientët përpiqen të kryejnë vetë kombinime ilaçesh,” tha Vichas për BIRN. “Për njerëzit pa sigurime, kjo është e zakonshme. Ata ose improvizojnë, ose nuk i pinë ilaçet fare, ose reduktojnë dozën.”

“Çdo ilaç mund të bëhet i rrezikshëm nëse nuk përdoret sipas mënyrës së këshilluar nga mjeku.”

Pa para

Sistemi shëndetësor publik në Greqi është kthyer përmbys që nga fundi i vitit 2009, kur Athina pranoi për herë të parë se kishte një gropë të madhe në financat e veta publike dhe iu drejtua në vitin 2010 partnerëve të vetë në Bashkimin Europian dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, FMN, për të marrë paketën e parë shumëmiliardë dollarëshe të shpëtimit, nga tri të tilla që ka marrë deri tani.

Ajo që ndodhi më pas qe një valë e njëpasnjëshme shkurtimesh në shpenzimet publike, të cilat e zhytën Greqinë në një spirale për poshtë drejt depresionit, duke rritur papunësinë dhe duke pakësuar fondet buxhetore për sistemin shëndetësor, i cili sakaq qe disfunksional dhe i korruptuar.

Kohët e pritjeve nëpër spitale u rritën, furnizimi me ilaçe dhe pajisje mjekësore u pakësua dhe numri i njerëzve që mbetën pa sigurime shëndetësore publike për shkak se qenë të papunë u rrit me shpejtësi për të arritur në rreth 3 milionë vetë sot, nga një popullsi prej afro 11 milionë grekësh. Grekët e pasiguruar nuk kanë të drejtë të marrin mjekim apo vizita te mjeku falas apo të subvencionuara.

Edhe për ata që i kanë sigurimet shoqërore, lista me ilaçe që shteti subvencionon për pacientët është shkurtuar dhe po kështu edhe masa e subvencionimit. Pjesa që pacientët tashmë duhet të paguajnë është rritur nga 12.8 për qind në janar 2010 në 29.3 për qind në korrik 2014, sipas një studimi të publikuar në mars 2016 nga instituti i pavarur kërkimor grek Dianeosis. Aktualisht pjesa e pacientëve është në masën 25 për qind.

Rritja e kostove, shtimi i radhëve dhe kultura e vazhduar e ryshfetit ka bërë që shumë grekë të shmangin vizitat te mjekët. “Nuk dua të përballem me mjekët – ata shohin vetëm paranë,” thotë Katsoula.

Këto rezultate janë të ngjashme me situatën me të cilën u përballën fqinjët e Greqisë nga ish-Jugosllavia dhe ish-vendet komuniste Rumani e Bullgari, ku trazirat e viteve 1990 shkatërruan sistemet shëndetësore, duke ushqyer dhënien e recetave të fryra apo shitjen e paligjshme të antibiotikëve bashkë me një problem në rritje të varësisë nga qetësuesit dhe antidepresivëve.

Një ligj, i ndërmarrë nga qeveria e mëparshme më 2014 dhe sërish më pas nga udhëheqësia aktuale e majtë Syriza në korrik 2016, është përpjekur të sigurojë aksesin te sistemi shëndetësor publik për grekët e pasiguruar, por mjekët dhe pacientët ankohen se sistemi i dobët dhe joefikas sërish nuk funksionon.

Sipas studimit të Dianeosis, 67 për qind e grekëve të vrojtuar thanë se kanë vështirësi në pagesën e ilaçeve. Shumica thanë se shpenzojnë deri në 10 për qind të të ardhurave të tyre për mjekime.

Trembëdhjetë për qind ose kanë shtyrë për më vonë blerjen e ilaçeve të rekomanduara nga mjekët për shkak të mungesës së parasë, ose nuk i kanë blerë ilaçet fare. Dhjetë për qind thanë se marrin doza më të vogla nga sa kanë përcaktuar mjekët në mënyrë që t’i zgjasin ilaçet më gjatë.

Disa, si familja Katsoula, përdorin zëvendësues gjenerikë më të lirë.

Pasi nëna e Katsoulës, Eleni ndryshoi pilulat e saj për hipertensionin pesë herë, një mjek i rekomandoi familjes të mos eksperimentonin më tutje për shkak se këto ndryshime mund të kenë ndikuar në një gjakderdhje që e dërgoi Elenin në spital në prill 2016. Në spital, mjekët urdhëruan kryerjen e një endoskopie intenstinale, për të cilën i thanë Elenit se duhet të priste së paku 6 muaj radhë.

‘Vetëmjekimi vijon të shtohet’

triantafyllou_2-3x4

Karaouzas, gjithashtu, ka pak dëshirë të përballet me sistemin e kujdesit shëndetësor publik, i cili në mënyrë të vazhdueshme i ka rekomanduar atij antibiotikë për një infeksion të përsëritur ndërsa ai thotë se sistemi ka shumë pak kohë apo burime për nevojat e tij si i paralizuar nga mesi e poshtë nga një aksident me motor 16 vjet më parë.

Shoqatat e personave me aftësi të kufizuar dhe organizatat monitoruese paralajmërojnë se shkurtimet në kujdesin shëndetësor kanë dëmtuar ekspertizën dhe burimet në dispozicion për trajtimin e personave me aftësi të kufizuara, gjë që do të thotë se shumë pak prej tyre po marrin trajtimin e posaçëm për të cilin kanë nevojë nga sistemi i shëndetit publik.

Konfederata Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara i thanë BIRN se ajo në mënyrë të vazhdueshme ka marrë ankesa për faktin se trajtime të caktuara që kërkohen nga njerëzit me aftësi të kufizuara po hiqen nga lista e shërbimeve të subvencionuara nga shteti dhe kostoja e kujdesit po rritet me shpejtësi. Shkurtimet e buxhetit kanë sjellë rritje të kohës së pritjes dhe reduktim të burimeve, tha Konfederata.

“Mirëqenia shoqërore për njerëzit me aftësi të kufizuara i është lënë pothuajse tërësisht familjeve të tyre,” tha Konfederata.

Urologu Christos Fliatouras në Athinë tha se mjekët po i ekzaminonin njerëzit me aftësi të kufizuara si Karaouzas “pa pasur diturinë e nevojshme”.

“Njerëz si ai kanë nevojë për specialistë dhe jo thjesht për urologë të zakonshëm. Por në Greqi ka mungesë rregullash mbi shërbimet dhe mbështetjen.”

Karaouzas ka filluar të përdorë terapinë në shtëpi dhe suplemente ushqimore të kushtueshme, të tilla si aloe vera dhe kolagjeni, me shpresë se ato do ta ndihmojnë të mbetet i shëndetshëm pa pasur nevojë të shtrohet në spital.

Në një kohë kur bizneset e tjera po i mbyllin dyqanet, po i shkurtojnë shpenzimet dhe po pushojnë nga puna punonjësit, studimet sugjerojnë se tregu i suplementeve ushqimore është në rritje.

“Vetëmjekimi vijon të rritet, ndërkohë që fondet për kujdesin shëndetësor publik ulen dhe konsumatorët përpiqen të shmangin vizitat te mjeku,” bëhet e ditur nga një raport i kompanisë kërkimore londineze Euromonitor International mbi shëndetin e konsumatorëve në Greqi, raport që u publikua në shtator.

Lehtësimi i rregullave mbi shitjen e produkteve pa recetë dhe liberalizimi i pronësisë së farmacive – reforma që u bënë si pasojë e presionit mbi Greqinë nga kreditorët ndërkombëtarë – “pritet të krijojnë një terren pjellor për kërkesën dhe vlerën e shitjeve të produkteve të kujdesit shëndetësor,” thuhet në raport.

“Qëllimi i qeverisë së Greqisë për reduktim të mëtejshëm të buxhetit për kujdesin shëndetësor do të sjellë me siguri rritje në tendencën drejt vetëmjekimit; për rrjedhojë do të krijojë një terren pjellor për rritjen e tregut të produkteve natyrore dhe të suplementeve”.

Spiros Terzopoulos i Pharma Centre, e cila shet produkte farmaceutike, përfshirë vitamina dhe suplemente, kishte të njëjtin mendim kur i tha revistës greke “Health” më 2014 se reforma e tregut kishte krijuar kushtet për shfaqjen e formave të reja të suplementeve “për të mbushur shumë nga hendeqet e kujdesit shëndetësor”.

“Aleatët më të mëdhenj në evolucionin e suplementeve ushqimore janë farmacistët, të cilët shohin se klientët e tyre përballen me probleme të ndryshme dhe vendosin të veprojnë vetë si këshilltarë mjekësorë e të propozojnë përdorimin e shumë suplementeve të reja… të vërtetuara se ofrojnë zgjidhje për probleme të vogla shëndetësore ndërkohë që lehtësojnë problemet e mëdha,” tha ai për revistën. Terzopoulos nuk qe i arritshëm për koment.

“Vetëmjekimi vijoi të rritet, për shkak se fondet për shëndetin publik janë pakësuar dhe konsumatorët janë përpjekur të shmangin vizitat te mjekët”
– Kompania kërkimore Euromonitor International
George Dokios, drejtor i përgjithshëm i shoqatës së industrisë së produkteve farmaceutike pa recetë, EFEX, u citua në qershor nga faqja e internetit të kujdesit shëndetësor OTCToolbox duke thënë se ky treg është rritur me 31 për qind në vlerën e shitjeve mes viteve 2010 dhe 2015 ndërsa pjesa e produkteve farmaceutike pa recetë ndaj tregut farmaceutik total është rritur nga 5 në 12 për qind.

Portali i tregtisë në internet Skroutz.gr ka raportuar një rritje prej 469 për qind në shitjen e suplementeve ushqimore përmes kësaj faqeje interneti mes viteve 2013 dhe 2014.

Ajo tha se vitaminat dhe suplementet dietike qenë mes pesë kategorive të produkteve me normën më të lartë të shitjeve në internet.

Organizata Kombëtare për Barnat në Greqi, EOF, institucioni shtetëror që miraton licencat për ilaçet, produktet kozmetike dhe suplementet, i tha BIRN se numri i aplikimeve për produkte suplementesh ushqimore në treg është dyfishuar mes viteve 2012 dhe 2014.

EOF tha se rregullat mbi llojin e pretendimeve që këto produkte mund të reklamojnë si të vërteta “shkelen vazhdimisht”.

Premtime

Kolagjeni i pijshëm, një proteinë që gjendet në trupin e njeriut, është bërë veçanërisht i famshëm që kur hyri në tregun grek në vitin 2010, shpesh me premtimin e lehtësimit të dhimbjeve të kyçeve, osteoporozës, artritit dhe të tjera.

Arthritis Research UK thotë se testimet mbi rolin e kolagjenit në trajtimin e artritit kanë dhënë “rezultate të përziera”. Studimet mbi rolin e saj në trajtimin e artritit reumatoid “sugjerojnë se nuk ka ndonjë ndikim domethënës në reduktimin e dhimbjeve dhe inflamacioneve,” thotë grupi, megjithëse shton se “kjo nuk është riprodhuar në mënyrë konsistente në të gjitha testimet”.

Giorgos Tsoukaladakis, ish reklamues i kompanisë Collagen Power, tha për një spektakël televiziv popullor në Greqi më 2014: “Është një agjent natyror anti-ankthiolitik. Stresi dhe ankthi çojnë çdokënd drejt çmendurisë. Papunësia ka goditur çdo shtëpi. Nuk ka asnjë shtëpi, asnjë familje që nuk ka një apo dy persona të papunë.”

Duke shtrënguar një shishe të produktit kryesor të kompanisë Collagen Pro-Active, ai i tha prezantuesit: “Kjo ndihmon për të përmirësuar mirëqenien tonë psikologjike.” Tsoukaladakis nuk punon më me kompaninë Collagen Power.

Ylli i muzikës pop në Greqi Giorgios Sampanis shkoi më tutje për të promovuar produktin, duke e shfaqur atë katër herë në videon e vitit 2014 për këngën e tij Mono Ex Epafis (Vetëm Me Prekje).

EOF i tha BIRN se në qershor 2014 ajo i pati rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë në Greqi që kompania Collagen Power të gjobitej me 35 mijë euro për reklamë mashtruese. Pyetur nëse gjoba u vendos me të vërtetë, një zyrtar në ministri tha se ankesa qe dorëzuar në kohën kur Greqia udhëhiqej nga qeveria e shkuar dhe i rekomandoi reporterit të pyesë te EOF, e cila, nga ana e saj, i tha reporterit të pyesë sërish te ministria.

Pronari i Collagen Power, Giorgos Triantafillou refuzoi të intervistohej për këtë artikull. BIRN i dërgoi kompanisë pyetje të detajuara mbi reklamat e saj dhe gjobat.

Kompania u përgjigj: “Ne nuk jemi informuar për asnjë lloj vendimi – apo ndonjë ndërhyrje – nga ana e EOF për t’i propozuar Ministrisë së Shëndetësisë një gjobë. Asnjë gjobë nuk është vënë mbi kompaninë tonë”.

Ajo konfirmoi se Tsoukaladakis qe larguar nga kompania dhe refuzoi të komentojë mbi deklaratën e tij të vitit 2014, duke thënë se ajo qe një deklaratë “e shkëputur nga konteksti më i gjerë i diskutimit”.

EOF i tha BIRN në një email: “Ne jemi në një komunikim të hapur me Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit në lidhje me reklamat e produkteve të ngjashme që krijojnë pretendime për përfitime shëndetësore.”

triantafyllou_5

Duke kushtuar rreth 50 euro për një shishe prej 600 ml, e cila nëse merret sipas instruksionit zgjat 24 ditë, kolagjeni i pijshëm është i kushtueshëm për shumë grekë.

Mjekët, gjithsesi, janë të alarmuar nga shkalla në të cilën pacientët e tyre po i besojnë suplementeve ushqimore.

BIRN-i mori një kopje të procesverbalit të një takimi të prillit 2015 të Shoqatës së Mjekëve të Athinës, me kushtin që emrat e mjekëve të cituar të mos zbuloheshin.

Njëri prej mjekëve tha: “Shumë kolegë telefonojnë te shoqata për t’u ankuar për reklamën e një acidi hialuronik dhe reklamën e kolagjenit, për shkak se këto reklama shtyjnë pacientët të mos i dëgjojnë këshillat e mjekëve.”

Një tjetër tha: “Ne duhet të zbulojmë se deri në çfarë mase ne mund të ndërhyjmë si shoqatë mjekësore për t’i dhënë fund kësaj historie me reklamimin e substancave dhe produkteve përmes internetit, televizionit dhe gjithkund tjetër, të cilat kanë për rezultat që pacientët të largohen apo të braktisin trajtimin.”

EOF i tha BIRN se gjobat qenë vendosur vazhdimisht për reklama mashtruese. “Por kompanitë nuk binden, së paku jo menjëherë,” tha ajo.

“Kuadri ligjor është i pamjaftueshëm si në termat e nivelit të gjobave ashtu edhe në nivelin e shpejtësisë [së vendimmarrjes] për të qenë efikas në raste të tilla”.

‘Të grabitur’

Ioannis Baskozos, sekretar i përgjithshëm i shëndetit publik në Ministrinë e Shëndetësisë së Greqisë, tha se ai parapëlqente një ndalesë tërësore të reklamave të tilla. Por qeveria i ka duart e lidhura, tha ai për BIRN.

“Fiksimi i Trojkës”, tha ai duke iu referuar treshes së kreditorëve ndërkombëtarë të Greqisë, BE, Komision Europian dhe FMN, “është që mjekësia të komercializohet”.

Baskozos tha se qeveria e Syriza kishte në plan të punësonte më shumë mjekë, infermierë dhe ndihmësmjekë dhe se ia ka dalë të realizojë një rritje modeste në shpenzimet për kujdesin shëndetësor dhe se po ofronte akses falas në sistemin shëndetësor publik për grekët e pasiguruar.

Ai tha se një databazë e re publike për listën e pritjes do të mund ta eliminojë praktikën famëkeqe të mjekëve që kërkojnë ryshfet për të ndihmuar pacientët të shmangin radhët, njohur si ‘fakelaki’ ose ‘zarfi i vogël’. Kjo praktikë është përkeqësuar gjatë masave të kursimit për shkak se punonjësit e shëndetësisë kanë pësuar ulje pagash dhe është pjesë e një problemi më të gjerë korrupsioni dhe evazioni fiskal të cilin, sipas kreditorëve, Athina duhet ta luftojë si pjesë e kushteve për ndihmën financiare.

“Ky është një revolucion në kujdesin shëndetësor!” bërtiti ai.

Por Vichas, i klinikës së solidaritetit, tha se ndërsa ka pasur përmirësime në drejtim të ofrimit të aksesit në sistemin shëndetësor publik për grekët e pasiguruar, listat e gjata të pritjes dhe spitalet me pak para bëjnë që shumë grekë që thjesht t’i drejtohen klinikës së solidaritetit.

Disa grekë, shkroi Vichas në shtator në profilin e tij në Facebook, nuk janë ende në gjendje të përballojnë as ilaçet e subvencionuara nga shteti, pikërisht për shkak se diferenca mes çmimit të shitjes me pakicë dhe sasisë së subvencionuar është një hendek që po zgjerohet gjithnjë e më shumë.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor publik është grabitur,” tha Vichas.

Ai përshkroi situatën në të cilën një pacient me vështirësi në frymëmarrje shkon në Rrjetin Kombëtar të Kujdesit Shëndetësor Parësor të Greqisë, rrjeti i klinikave të lagjeve.

“Unë kam nevojë që ai të bëjë një tripleks dhe një test stresi, por ne nuk kemi makineritë e nevojshme,” tha ai. “Për një person të pasiguruar, këto mund të bëhen vetëm në një spital publik, ku personi do të përballet me një listë të stërgjatë pritjeje dhe hapësira e disponueshme për vizitë mund të jetë shumë muaj më vonë. Koha e pritjes mund të jetë fatale.”

Dimitris Kourouvakalis, një infermier në Spitalin e Përgjithshëm Ippokration në Athinë dhe anëtar i lartë i Federatës Pan-Helenike të Punonjësve të Spitaleve Publike (POEDIN), përshkroi një skenë tipike:

“Gjatë ditës së dezhurnit… koha e pritjes mund të mbërrijë në 15 orë, ndërsa në një nga pavionet tona ka një infermier për 40 pacientë. Herë pas here ne përballemi me mungesa të stërmëdha. Ne mbërrijmë në pikën kur nuk kemi as fasha. Në shumë raste, kolegët e mi kanë blerë dorashka kirurgjie vetë ndërsa në disa raste i kërkojmë pacientëve të blejnë ilaçet e veta.”

Ankth

triantafyllou_4-3x4

Në vend që të shkojnë në spitale të tilla apo në ambulancat e lagjeve, shumë grekë thjesht blejnë antibiotikë vetë, direkt nga farmacistët e tyre. Sipas Qendrës Europane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Greqia është konsumatorja numër 1 e antibiotikëve jashtë spitaleve – 34.1 doza ditore për 1 mijë banorë.

Brenda rajonit të Ballkanit, Rumania renditet e dyta me 31.2 doza; Kroacia është e 12-a me 21.4 doza, Bullgaria e 13-a me 21.3 dhe Sllovenia e 25-a me 14.2 doza.

Niki Likourgia, një farmaciste në lagjen hyrëse të Athinës, Likabetus, tha se i ka ndodhur që pacientë me kancer të shkojnë dhe t’i kërkojnë “ilaçe pa lidhje me kushtet e tyre, përveç mjekimeve të tyre, pa konsultuar një mjek”.

“Nuk e merr dot me mend se sa shumë shurupe dhe antipiretikë (për të reduktuar ethet) kërkojnë ata kur sistemi i tyre imunitar është i dobët. Ata madje të bërtasin kur i thua se nuk mund t’ia japësh për sa kohë nuk kanë folur me doktorin,” tha ajo.

Sotirios Tsiodras, profesor i asociuar për mjekësinë interne dhe sëmundjet infektive në shkollën mjekësore në Universitetin e Athinës, citoi kërkime që tregojnë se mes 40 dhe 60 për qind e farmacive shesin antibiotikë pa recetë.

Tsiodras tha se gjashtë vitet e krizës së rëndë ekonomike, ankthit dhe vështirësive në sistemin shëndetësor publik, i kanë lënë grekët duke u shtrënguar pas fijes së barit.

“Ka një arsye për këtë tendencë; në vend që të shkosh dhe të paguash një mjek për reputacion të mirë, ti shkon dhe tenton me bimë mjekësore apo receta tradicionale të gjyshes a ndonjë gjë të ngjashme.”