Gruas së Adem Demaçit i garantohen 1 mijë euro në muaj, shofer dhe veturë

Qeveria e Kosovës mori vendim në mbledhjen e 7 gushtit që të garantojë një status të veçantë për Xhemajlije Demaçin, gruan e veprimtarit të çështjes kombëtare dhe shkrimtarit Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë para rreth dy javësh. Ajo do të përfitojë pagë prej 1 mijë eurove në muaj, një veturë dhe një shofer.

“Është bërë edhe plotësim ndryshimi i vendimit të Qeverisë të datës 29 prill 2008, me të cilën është rregulluar kompensimi dhe trajtimi institucional për Adem Demaçin. Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit, rregullohen beneficionet që do t’i gëzojë bashkëshortja pas vdekjes së Adem Demaçit”, thuhet në këtë komunikatë të qeverisë.

Xhemajlije Hoxha Demaçi tashmë do të përfitojë 1 mijë euro në muaj, si dhe veturën me një shofer personal.

Veprimtari Adem Demaçi ka vdekur me 26 korrik 2018. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

Lini Një Koment