Habermasi për Islamin evropian

“Në Republikën Federale të Gjermanisë po bëjmë përpjekje për të përfshirë ideologjinë islamike në universitetet tona, që nënkupton se mund të trajnojmë mësimdhënës të religjionit në vendin tonë në vend se t’i importojmë nga Turqia dhe vendet e tjera. Por përnjëmend ky proces varet prej mënyrës sonë të menaxhimit të integrimit të vërtetë të familjeve emigrante. Megjithatë, kjo nuk adreson valët e migrimit global. Mënyra e vetme për t’u marrë me të do të ishte zgjidhja e shkaqeve të tyre ekonomike në vendet e prejardhjes”, thekson filozofi i njohur gjerman Jurgen Habermas, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën spanjolle, “El Pais”, nga Borja Hermoso, e cila botohet sot në Koha Ditore.

El Pais: Më 1986 ju dolët me konceptin politik të patriotizmit kushtetues, që tingëllon pothuajse mjekues ditëve të sotme kundrejt patriotizmave të tjerë të supozuar që përfshijnë himne dhe flamuj. A do të thoshit se është më vështirë që të jetësohet i juaji?

Habermas: Më 1984 më ftuan të mbaja fjalim në Kongresin spanjoll. Pastaj shkuam të drekonim në një restorant të vjetër. Nëse më kujtohet mirë, ndodhej diku ndërmjet Kongresit dhe Puerta del Sol në anën e majtë të rrugës. Gjatë bisedës së lirë me nikoqirët tanë të shquar, shumë prej të cilëve socialdemokratë të cilët ishin përfshirë në draftiin e Kushtetutës së re të vendit, mua dhe gruas Sime na u tha se në establishmentin e kësaj kohe ishte ngulitur konspiracioni se shpallja e Republikës së Parë të Spanjës ishte bërë më 1873. Dhe me të marrë vesh këtë, kishim ndjenjë krejtësisht tjetër. Patriotizmit kushtetues i duhet një narracion i kaluar, me qëllim që neve gjithnjë të na kujtohet se Kushtetuta është arritje kombëtare.

Patriotizmi kushtetues

El Pais: A e konsideroni veten patriot?

Habermas: Ndihem patriot i një vendi, që më në fund, pas Luftës së Dytë Botërore, i dha jetë një demokracie të qëndrueshme dhe, gjatë dekadave pasuese të polarizimit politik, një kulture politike liberale.

El Pais: Me fluksin e emigrantëve a vazhdon ta ketë Gjermania ende vetëm një kulturë?

Habermas: Jam krenar me kulturën tonë që përfshin gjeneratën e dytë ose të tretë të emigrantëve turq, iranianë dhe grekë, të cilët nxjerrin regjisorë, gazetarë dhe personalitete mahnitëse televizive, por edhe shefa ekzekutivë, mjekët më kompetentë, shkrimtarët, politikanët, muzikantët dhe mësimdhënësit më të mirë. Është një demonstrim i qartë i fuqisë dhe kapacitetit të kulturës sonë për gjenerata. Refuzimi agresiv populist djathtist i këtyre njerëzve, pa të cilët nuk do të ishte e mundshme, është krejt i pakuptimtë.

El Pais: A mund të na tregoni për librin tuaj të ri për religjionin dhe fuqinë e tij simbolike si ilaç për të liga të caktuara të kohës moderne?

Habermas: Nuk merret aq shumë me religjionin, sa me filozofinë. Shpresoj se gjenealogjia e mendimit post-metafizik bazuar në argumentin e vjetër për besimin dhe dijen, mund të ndihmojë për parandalimin e një filozofie degradues në mënyrë progresive ndaj frontit shkencor, duke harruar funksionin e saj të urtësisë dhe përndritjes.

Përplasja e civilizimeve, ide krejtësisht e gabueshme

El Pais: Kur flasim për religjionin dhe luftërat fetare dhe kulturore, a mendoni se po shkojmë drejt një përplasjeje civilizimesh?

Habermas: Me aq sa di unë, ajo ide është krejtësisht e gabueshme, Civilizimet më të vjetra dhe me më së shumti ndikim janë karakterizuar prej metafizikës dhe religjionet e mëdha të studiuara nga Maks Veberi. Të gjitha kanë potencial universal, që është edhe arsyeja pse luftojnë për hapje dhe gjithpërfshirje. Është fakt se fundamentalizmi fetar është fenomen krejtësisht modern. Është shkaktuar prej ndryshimeve radikale shoqërore të nxitura nga kolonializmi, fundi i kolonializmit dhe kapitalizmit global.

El Pais: Keni shkruar në një rast se Evropa duhet të kultivojë një version evropian të islamit. A mendoni se kjo tashmë po ndodh?

Habermas: Në Republikën Federale të Gjermanisë po bëjmë përpjekje për të përfshirë ideologjinë islamike në universitetet tona, që nënkupton se mund të trajnojmë mësimdhënës të religjionit në vendin tonë në vend se t’i importojmë nga Turqia dhe vendet e tjera. Por përnjëmend ky proces varet prej mënyrës sonë të menaxhimit të integrimit të vërtetë të familjeve emigrante. Megjithatë, kjo nuk adreson valët e migrimit global. Mënyra e vetme për t’u marrë me të do të ishte zgjidhja e shkaqeve të tyre ekonomike në vendet e prejardhjes.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme