Halil, rri larg nga politika nëse nuk don të digjesh!

Xhevdet POZHARI

Kur e shoh Kadri Veselin si një prej përgjegjësve kryesorë të fukarallekut në Kosovë në aktivitete humanitare, mua vetvetiu më ngjallen dyshimet!
Andaj, edhe prezencën e Albin Kurtit nuk e shoh veç si rastësore ngaqë në projektin për ndërtimin e 28 shtëpive ka participuar edhe Komuna e Prizrenit, por edhe si balancim dhe mbulesë që mos të ketë anime!

Ka diçka përtej këtij rrëfimi, përtej përpjekjes për të ngjallë dëshirën për bamirësi – sepse atë vullnet e kemi të gjithë – dëshmi janë edhe donacionet që shkojnë në adresë të shoqatës së Halil Kastratit.

Megjithatë, mos harroni: bingot, lojërat e fatit, emisionet për bamirësi e veçanërisht kur kjo e fundit përkrahet nga pushtetarët, kanë një qëllim më të madh sesa thjesht humanizmin – zbutjen dhe amortizimin e pakënaqësisë dhe ngjalljen e shpresës për të varfrit që presin se kush do të jetë fatlumi i radhës që do të bëhet me shtëpi. E, sikur gjithë këto vite të kishim një Qeveri të mirëqenë, situata nuk do të ishte e këtillë siç është! Por, është vet pushteti që lejon, nxit dhe përkrah qëllimshëm zhvillimin e këtyre veprimtarive ngaqë kështu kontrollohet më lehtë jo vetëm pakënaqësia e popullit, por edhe njerzit bamirës që vijnë në situatë të bëjnë kompromise me njerzit e pushtetshëm.

Me pak fjalë, në këtë foto politikanët janë rreshtuar sepse e dinë se kushdo që e ka në krah Halilin, e ka komunën e Prizrenit! PDK-ja e humbi për herë të parë qytetin që dikur e quante “Jerusalemi i PDK’së”, ndërsa Vetëvendosje përpiqet që ta mbajë me çdo kusht.

Halili në këtë mes është i shfrytezuari, por jo pa vetëdije! Atij me gjasë ka filluar t’i pëlqejë që të jetë faktor i rëndësishëm – por, kam frikë se një ditë mund t’i kushtojë shtrenjtë! Sidomos kur dihet se sa e rrezikshme është të qëndrosh “mes dy zjarreve”.

Andaj, nëse don të mbetet veç bamirës dhe njeri që vullneti i tij i hekurt e solli në pozitën që t’u ndihmojë kategorisë më të ndjeshme të shoqërisë, bën mirë të rrin larg nga politika… sa më larg! Veç nëse tashmë është bërë vonë!

Fotografia e Xhevdet T. Pozhari

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme