Haradinaj: Gjithmonë ka pasur njerëz që për pare e shesin nanën e babën

  • 10:56 – 25 Gusht, 2016  Sakte.net
  • “Fushata që po bëjnë Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit, për të imponuar votimin e demarkacionit me Malin e zi, është shkelje flagrante e Kushtetutës”, ka shkruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në llogarinë e tij në Facebook.

    Sipas tij, “neni 70, paragrafi i parë në lidhje me nenin 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, siguron se ndaj deputetëve nuk mund të ushtrohet presion; nuk ka mandat të detyrueshëm dhe se deputetët përfaqësojnë sovranin e votojnë, duke u bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe në Rregullore të Kuvendit”.

    “Pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe Kosova nuk është Monarki, prandaj kthejuni punëve tuaja dhe mos u bëni presion deputetëve. Në këtë vend gjithmonë ka pasur disa njerëz që për pare e për interesa kanë qenë në gjendje ta shesin edhe babën edhe nanën, por shumica gjithmonë ka qenë në krah të kësaj Kosove”, ka shtuar Haradinaj.

    Haradinaj më tej ka shkruar se “deputetët e Kosovës nuk u janë nënshtruar shantazheve as në kohën e Millosheviqit dhe kanë ditur që edhe nën rrethim, edhe formalisht, t’i nisin themelet e kësaj Republike”.

    “Kosova do t’i ketë kufijtë e saj, pa i marrë dhe pa i dhënë askujt. Do ta ketë të ardhmen e vet euroatlantike dhe rrugën e pakthyeshme drejt BE-së dhe integrimeve të tjera”, ka thënë ai.

    “Por Kosova sot është e papërfunduar dhe populli i saj nuk do ta lejojë askënd që t’ia vrasë të ardhmen, qoftë edhe me do farë marrëveshjesh të dyshimta, me njerëz të dyshimtë e pa fije transparence. Kjo duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë!”, ka thënë Haradinaj./Sakte.net