Haradinaj: Kosova pjesë e koalicionit që e lufton ekstremizmin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në konferencën “Të bashkuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – Partneriteti për sukses”, që është mbajtur në Tiranë.

Haradinaj tha se Kosova është pjesë e koalicionit që e lufton ekstremizmin.

“E shohim që përpjekjet tuaja për koalicione të përbashkëta kundër ekstremizmit janë të mëdha dhe ne jemi gjithashtu pjesë e këtij koalicioni. Kosova është vend euroatlantik. Ne këtu kemi liderë të besimeve të ndryshme fetare, mirëpo ne kemi një identitet të pastër. Ideja e ekstremistëve është të përdorin rrjetet islame dhe fatkeqësisht kanë krijuar njerëz brenda rrjeteve në secilin vend”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj theksoi se Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit.

“Ne si vend i vogël kemi pasur shkuarje në lufta islamike. Ne kemi parandaluar udhëtimin e disa personave që të shkojnë atje. Terroristët përdorin rrjete të ndryshme bamirësie dhe rrjete fetare. Problemet dhe lajmet që vijnë nga ISIS-i dhe lufta atje i kanë bërë qytetarët të kuptojnë rrezikun atje”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Shqipëria ka tolerancë të madhe fetare.

“Është temë me rëndësi strategjike në një vend si Shqipëria ku toleranca fetare është shumë e madhe. Ky është thesar që duhet ruajtuar dhe duhet ta trajtojmë nevojën për edukimin e gjeneratave më të reja. Unë besoj që kemi mirëkuptim të përbashkët që ta luftojmë radikalizmin dhe ekstremizmin”, tha ai.

Princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad, tha se duhet angazhim i përbashkët për luftim të ekstremizmit.

“Kjo që po thuhet në Shqipëri është një hap pionier, sepse problemet e mëdha janë grumbullim i problemeve të vogla. Kjo që po bën Shqipëria është të zgjidhë problemet rajonale. Në qoftë se nuk e luftojmë së bashku, atëherë ai do të zhvendoset nga vendi në vend. Sfida është sfidë ideologjike dhe është përbrenda islamit dhe nuk mund të zgjidhet jashtë islamit”.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, tha se është i nevojshëm bashkëpunimi mes vendeve të rajonit për luftim të ekstremizmit.

“Në Ballkan është me rëndësi që të tregojmë që të gjithë jemi të barabartë. Toleranca etnike është i vetmi ilaç për Ballkanin. Është e rëndësishme shtrëngimi i duarve mes Thaçit dhe Vuçiqit në Samitin e Sofjes. Kur në Turqi u inagurua Kisha e hekurt, ne në Sofje rinovuam xhami, dhe nëse kështu punojmë nuk mund të mbillet fara e terrorizmit. Duhet të zhvillohen reforma në Ballkan”.

Lini Një Koment