Haradinaj: Mustafa i dobët, nuk pres rezultate

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për KosovaPress tha se Aleanca do të marrë pjesë në debatin e 3 gushtit, ku pritet të diskutohet për demarkacionin me Malin e Zi.

Haradinaj tha se edhe pse nuk është më deputet i Kuvendit të Kosovës, ai do të marrë pjesë në debatin e së mërkurës, duke e kundërshtuar versionin që është paraqitur deri tani për demarkacionin.

Kreu i AAK-së, nuk pret që do të ketë ndonjë ndryshim gjatë dhe pas këtij debati.

“Debati i lajmëruar për 3 gusht është një mundësi ndoshta me i dhënë ato konkluzat finale prej ekspertëve. Ai debat nuk është aq shumë i deputetëve, sa është i ekspertëve. Unë e kam nder me qenë pjesë e me përkrah një debat të tillë. Por nuk mendoj që do të jetë diçka që do të ndodhin risi. Meqenëse çdo gjë është qartësuar deri më tani, ekspertët e kanë thënë fjalën e vet”, tha Haradinaj.

Haradinaj nuk ka treguar se çfarë metoda do të përdorin për të ndalur këtë proces, por thotë se është mirë që për këtë çështje të jenë të gjithë të bashkuar.

“Pra do të kthehemi në seancë, po jo ndoshta me nevojën që me përdorë kundërshtime si i kemi bërë më herët. Por një situatë të re, ndoshta me qenë më të bashkuar për me hedh poshtë këtë version në mënyrë që me u mundu me fillu zgjidhjen e kësaj teme. Personalisht nuk jam deputet. Por Aleanca do të merr pjesë në seancë edhe qëndrimi i Aleancës është kundër këtij versioni. Mirëpo jo vetëm i Aleancës dhe opozitës tani, besoj që do të jemi shumë më shumë deputetë. Me këtë, ne do ta lirojmë edhe ekzekutivin nga një temë dhe do të ja mundësojmë ekzekutivit- Qeverisë, Kuvendit, që ta rifillon këtë temë për zgjidhjen e saj, duke e hedhur poshtë këtë version”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu ka thënë se AAK mund të kthehet në Kuvend vetëm në rastet kur diskutohen çështjet e Demarkacionit dhe Asociacionit.

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që çështjen e temave të nxehta mos t’i ndërlidhë me procesin e liberalizimit të vizave.

“Nuk ka ndodh ndonjëherë në ndonjë shoqëri, në ndonjë shtet, që opozita me ndal procese. Gjitha proceset varen nga ata që i kanë përgjegjësit. Në këtë rast nga Qeveria, institucionet e vendit. Mendojmë që nëse hedhet poshtë ky version sa më shpejtë mundemi me fitu në kohë që me ndodh liberalizimi. Sepse është diçka që e meritojnë qytetarët e Kosovës me lëviz lirshëm, dhe ne e mirëpresim liberalizimin e vizave dhe kemi kërkuar nga të gjitha që mos me i ndërlidh temat“, tha Haradinaj.

Lideri i AAK-së thotë se marrëveshjet me shtetet fqinje dhe raportet me to janë mjaftë të rëndësishme për vendin, dhe për këtë ai i bënë thirrje malazezëve që mos të patrullojnë në pronën e kontestuar, derisa nuk ka një marrëveshje të ratifikuar.

“Komunikimi ndër fqinjësor është i rëndësishëm, është i nevojshëm. Të gjitha vendet duhet të komunikojnë ndërsjellë. Ajo që ne e presim është që vërtet presim mirëkuptim prej Malit të Zi. Nëse parlamenti e hedhë poshtë versionin e tashëm, Mali i Zi ta respekton gjendjen që është një marrëveshje e pa ratifikuar. Të gjeturat e kësaj marrëveshje nuk vlejnë dhe ata mos të patrullojnë në territorin e kontestuar. Mos të dalin këtej Çakorrit edhe Kullës deri në dakordim të ndërsjellë, ta respektojnë këtë gjendje. Po ashtu kishim pritë prej Malit të Zi dhe prej miqve të Kosovës, prej Uashingtonit e Brukselit, që të na ndihmojnë ta zgjidhim këtë çështje sa më shpejtë. Në rast se parlamenti ynë e hedh poshtë këtë version ne kërkojmë ndihmën e të gjithëve që ta zgjidhim sa më shpejtë situatën, pa pasur nevojë me shkuar në arbitrazh”, tha Haradinaj për KosovaPress.

Derisa kreun e ekzekutivit e ka quajtur të dobët, ai thotë se po habitet se si kryeministri Mustafa të gjitha temat i lidh në një temë, në një kohë kur vendi po humb shumë nga korrupsioni dhe pengesat që shteti i Serbisë po i bënë Kosovës.

“Tani kemi të bëjmë me një kryetar Qeverie shumë të dobët, realisht me një Qeveri status quo prapa. Edhe vetvetiu se s’ka progres në tema. Pra ai disi të gjitha po i lidh me një temë që është e habitshme pak a shumë. Kosova sot vuan prej mënyrës së qeverisjes, prej kualitetit të qeverisjes, që është i dobët dhe me humbje. Humbjet janë nga korrupsioni. Po ashtu Kosova po humb shumë edhe nga pengesat që ja bënë Serbia Kosovës. E ne duhet të kemi strategji të qartë… duhet ta korrigjojmë qeverisje në vend. Një qeverisje zhvillimore që e rritë Kosovën. Duhet të jemi të prerë që mos të lejojmë pengimin nga Serbia, ose ndërhyrjet nga Serbia në Kosovë”, tha Haradinaj.

Ndërsa deklaratat e Mustafës drejtuar anëtarëve të AAK-së, i ka quajtur të pa kuptimta dhe nuk mund ta kuptoj pse kryeministri i merr të gjitha si personale.

Ai po ashtu thotë se miqtë ndërkombëtar e mirëpresin përmbylljen e kësaj teme sa më parë dhe se nuk insistojnë se vija e kufirit duhet të jetë kjo që është dhe jo një tjetër.

“Të them të drejtën këto deklarimet e z. Mustafa janë të pakuptueshëm. Nuk e kuptoj pse ai e merr kaq personale gjitha këto. Kosova duhet të ec pa marrë parasysh situatave sa do të ndjeshme të individëve. Pra nuk ka pse Mustafa apo dikush tjetër të kërcënon Kosovën në këtë mënyrë… Nuk është ashtu, ne jemi gjithë politik-bërës, kemi nga pak informata, jemi në komunikim me aleatët tanë ndërkombëtar me miqtë tanë në kontakte, dhe e vërteta është se askush nuk insiston që kufiri në cilën vijë duhet të jetë. Ne kemi dëgjuar prej partnerëve tanë ndërkombëtar, e mirëpresim përmbylljen e kësaj teme… ata nuk insistojnë që kufiri duhet të jetë në Kuqishtë e jo në Çakorr apo Savinovodë e jo në Kullë. Nuk ka insistim se vija e kufirit duhet të jetë kjo e jo një tjetër“, tha Haradinaj.

Ai rikujton që ka edhe njerëz brenda LDK-së që e kundërshtojnë këtë version të demarkacionit. Ndërsa thotë se deputetët e AAK-së u sakrifikuan për qytetarë, duke mos marrë pjesë në seancë.

Pavarësisht që për debatin lidhur me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi janë pajtuar të gjitha partitë politike, të pushtetit dhe opozitës, përfaqësuesit e opozitës, përfshirë edhe liderin e AAK-së, janë mjaft skeptikë që ky debat do të sjellë një konsensus lidhur me këtë çështje.

Debati, i cili është ftuar nga kryesia e Kuvendit të Kosovës, pritet të mbahet më 3 gusht nga ora 10:00, në sallën alternative të Kuvendit. /KosovaPress/

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë