Haradinaj: Për hetimet e vrasjes së Ivanoviqit mund të ftohet edhe FBI-a

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me institucionet simotra dhe për hetime mund të ftojnë edhe FBI-në dhe se nuk i mirëpresin deklarimet e askujt për ndërhyrje në veri.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka deklaruar se policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën Veriore.

Ai në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se ka caktuar ekspertë të hetimeve serioze dhe është krijuar një task forcë, por që për shkak të natyrës së hetimeve nuk mund të japë detaje.

“Ju siguroj që do të punojmë në zbardhjen e këtij rasti. Dhe në momentin që e vlerësojmë se na nevojitet ndihmë do të ta kërkojmë. Por deri më tani nuk kemi nevojë për ndihmë. Djegia e veturës pa targa, ne shumë shpejt arritur të kemi informacionet e nevojshme për pronësinë e veturës, por nuk mund të jap më shumë detaje”, ka thënë ai.