Haraqija: Gjykata më dënoi pa prova

Ish ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mirëpo ata janë dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një viti.

Astrit Haraqija, duke komentuar vendimin e gjykatës, ka thënë se për dallim prej vendimit të parë, sot gjykata ka vendosur që t’ia rris dënimin prej dy muajve.

“Gjykata duhet me pas guxim që të me dënojë me burgim efektiv nëse ka prova, e jo më marrë këso vendime politike sa më thënë që kishe po e luftojmë korrupsionin”, ka thënë Haraqija, duke shtuar se Gjykata nuk e ka pasur asnjë provë.

Sipas tij, nëse do të kishin prova, atëherë ai do të duhej që të dënohej 3-5 vjet me burgim efektiv, e jo me këtë masë, siç e ka quajtur ai, politike.

“Edhe ata janë të bindur se unë nuk jam fajtor, prandaj e kanë bërë këtë kompromis të pakuptimtë”, ka thënë tutje Haraqija për lajmi.net

Tutje ai thotë se do të ankohet në shkallën e dytë për këtë vendim.

“Absolutisht nuk jam fajtor. Gjykata nuk e fiton kështu besueshmërinë, përkundrazi e humb krejt. Kjo më shumë është çështje politike që kinse mos të më lënë të merrem me politikë”, thotë ai.

Përveç Haraqisë dhe Valton Beqirit, gjykata ka marrë vendim që aktori Armond Morina obligohet t’i kthej MKRS-së 100 mijë euro, ndërsa Nehat Fejza 188 mijë euro.

MKRS është palë e dëmtuar në këtë proces, i cili ishte kthyer në rigjykim nga Apeli.