Hasani thotë se Pacolli solli në Kosovë ‘shkollën ruse’

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori universitar i drejtësisë, Enver Hasani, ka publikuar sot një letër të gjatë ku iu është drejtuar shumë njerëzve, përfshirë këtu edhe kryeministrin aktual dhe zëvendësin e tij, Behgjet Pacollin.


Hasani pati fjalë të ashpra ndaj Haradinajt duke e akuzuar se ai i bëri shantazh me një video montazhë, ndërkohë që Pacollin e bën përgjegjës për prurjen në Kosovë të shkollës ruse.

Ish-kreu i Kushtetueses thotë se Kosova ishte e ngjyrosur me një krim të dhunshëm, ndërkohë që, siç i thotë ai ‘baci’, solli shkollën ruse për ta ‘zbutur krimin’. Hasani thotë se Pacollin nuk kishte dashur ta takonte presidenti i atëhershëm, Ibrahim Rugova.

“Kriminologët dhe viktimologët që nga afër e kanë vëzhguar dhe që e kanë analizuar dallimin, në vija të trasha, kanë konstatuar se ai konsiston në natyrën shumë të dhunshme dhe pa ndonjë nivel intelektual apo filozofik të krimit kosovar të zotëve të luftës. U desh kohë që kjo gjendje e natyrës së krimit dhe e viktimizimit kosovar të “zbutet”: hyrja në skenën politike të shkollës ruse, e Bacit, të cilin i ndjeri Ibrahim Rugova nuk kishte dashur asnjëherë ta takonte, i dha një ngjyrë më cilësore krimit të zotëve të luftës, rezultatet e të cilit u panë më së miri në aferën me “Hotelin Grand Prishtina””, shkruan Hasani.

Por, rektori i dikurshëm i UP’së e bën përgjegjës Pacollin edhe për futjen e elementit fetar në diskursin politik, duke e cilësuar këtë si element të shkollës ruse. Hasani thotë se me ndihmën e Bacit, u tha se është nevoja të zgjohet nga gjumi elementi fetar.

“Ndryshe, i mësoi Baci, do të bënin mëkat. Këtë mësim ua kishin dhënë shqiptarëve hoxhallarët e ardhur nga Rusia për të edukuar elementin mysliman në Evropën otomane pas reformave të Tanzimatit. Krahas kësaj “reforme” cilësore në natyrën e krimit, shkolla ruse e Bacit u ndie edhe në viktimën kosovare, në votuesin e Kosovës: tani votuesi nuk duhet të ishte pa dinjitet dhe pa identitet, siç kishte qenë deri atëherë kur vjedhja e votës ndrydhte shfaqjen e çdo identiteti dhe të diversitetit social, etnik, gjuhësor dhe, mbi të gjitha, fetar. Në veçanti, sipas Bacit, ky identitet i fundit duhej zgjuar nga gjumi, duhej vetëdijesuar për votën e fuqinë e vet të votës, gjë që mund të bëhej vetëm nëpërmjet fushatave efektive zgjedhore nëpër xhamitë e Kosovës, të ndërtuara kryesisht nga aleatët serbë e rusë në Kosovën e pasluftës. Kjo fushatë domosdo çonte mesazhe të qarta për salafistët se pushteti në Kosovë dhe kapja e tij nuk do të ishin një gjë e pamundur dhe e vështirë nëse do të provohej”, ka shkruar Hasani.

Ndërkaq, ai nuk ngurroi të flas edhe për disa fytyra televizive, duke ua përmendur mungesën kulturore.

Ndryshe, Enver Hasani shtoi se pas përfundimit të mandatit të tij në Kushtetuese, nisi një fushatë e anatemimit ndaj tij, duke thënë se edhe sulmet dhe aktakuza e ngritur e që u rrëzua para disa ditësh, ishte pjesë e këtij plani./gazetametro.net.

LEXONI TË PLOTË PJESËN KU FLET PËR “SHKOLLËN RUSE” TË BEHGJET PACOLLIT:

Natyra dhe ngjyra e krimit kosovar

Një fjalë e urtë popullore shqiptare thotë: “Behanja e çervishit, një lugë t’lyen”. Kjo thënie më së miri përshkruan natyrën e krimit aktual kosovar, i instaluar në mënyrë graduale pas qershorit të vitit 1999 nga zotët e luftës. Krimi dhe viktimat në Kosovë dallojnë dukshëm nga krimet dhe nga viktimat e vendeve të tjera ish-komuniste në transicion. Kriminologët dhe viktimologët që nga afër e kanë vëzhguar dhe që e kanë analizuar dallimin, në vija të trasha, kanë konstatuar se ai konsiston në natyrën shumë të dhunshme dhe pa ndonjë nivel intelektual apo filozofik të krimit kosovar të zotëve të luftës. U desh kohë që kjo gjendje e natyrës së krimit dhe e viktimizimit kosovar të “zbutet”: hyrja në skenën politike të shkollës ruse, e Bacit, të cilin i ndjeri Ibrahim Rugova nuk kishte dashur asnjëherë ta takonte, i dha një ngjyrë më cilësore krimit të zotëve të luftës, rezultatet e të cilit u panë më së miri në aferën me “Hotelin Grand Prishtina”, si dhe me shkëlqimin kriminogjen të ndërtesës së ish-Pallatit të Shtypit, Kulla a Ajfelit e krimit të ri kosovar, e cila na sillet ngado që shkojmë, si një efekt refleksiv i modelit të krimit rus pas luftës. Baci, thënë ndryshe, ia ndryshoi ngjyrën krimit të zotëve të luftës, duke e bërë më të hollë në sipërfaqe, krim më diskret, kurse viktimave të krimit u dhuroi një shije të rrejshme intelektuale, sepse diversifikoi krimin dhe viktimën në aspektin politik, gjuhësor, etnik dhe fetar: të parët, zotët e luftës, i mësoi se paranë e vjedhur nuk duhet më ta ndajnë brutalisht me masën matëse metër apo kilogram, siç kishin bërë deri atëherë, por duhej ta numëronin një nga një sepse, si myslimanë që janë, duhet ta numërojnë deri në centin e fundit. Ndryshe, i mësoi Baci, do të bënin mëkat. Këtë mësim ua kishin dhënë shqiptarëve hoxhallarët e ardhur nga Rusia për të edukuar elementin mysliman në Evropën otomane pas reformave të Tanzimatit. Krahas kësaj “reforme” cilësore në natyrën e krimit, shkolla ruse e Bacit u ndie edhe në viktimën kosovare, në votuesin e Kosovës: tani votuesi nuk duhet të ishte pa dinjitet dhe pa identitet, siç kishte qenë deri atëherë kur vjedhja e votës ndrydhte shfaqjen e çdo identiteti dhe të diversitetit social, etnik, gjuhësor dhe, mbi të gjitha, fetar. Në veçanti, sipas Bacit, ky identitet i fundit duhej zgjuar nga gjumi, duhej vetëdijesuar për votën e fuqinë e vet të votës, gjë që mund të bëhej vetëm nëpërmjet fushatave efektive zgjedhore nëpër xhamitë e Kosovës, të ndërtuara kryesisht nga aleatët serbë e rusë në Kosovën e pasluftës. Kjo fushatë domosdo çonte mesazhe të qarta për salafistët se pushteti në Kosovë dhe kapja e tij nuk do të ishin një gjë e pamundur dhe e vështirë nëse do të provohej. Kjo teknologji e sofistikimit të krimit dhe e viktimizimit të kosovarëve, nuk përbënte ndonjë vështirësi për Bacin, i cili vetëm sa vazhdoi rrugën e nisur me Millosheviqin gjatë luftës së fundit në Kosovë, atëherë kur Kosova dhe qytetarët e saj u duk që po jepnin frymën e fundit të jetës së tyre. Baci, pra, hodhi “lugën me t’lyen në çervishin e krimit kosovar”, duke ia ndryshuar natyrën dhe ngjyrimin e deriatëhershëm. Për këtë, këtu nuk do të flasim fare, se kanë folur të tjerët para meje me një kompetencë të madhe dhe më ilustrative. Pak në vijim do të ndalemi për sejmenët medialë të Bacit dhe për disa të tjerë që notojnë në dobi dhe për qejf të tij.

Lini Një Koment