Hepatiti B dhe C, shkaktarë për kancerin e mëlçisë, si parandalohet

Data 28 korrik u zgjodh nga Organizata Botërore e Shëndetit (WHO) për të përkujtuar Ditën Botërore të Hepatiteve, në nderim të ditëlindjes se shkencëtarit fitues të çmimit Nobel, Dr. Baruch Blumberg, i cili zbuloi virusin e hepatitit B (HBV) dhe zhvilloi një Test Diagnostikues për diagnostikimin dhe vaksinën përkatëse.

Hepatiti viral B dhe C ka prekur mbi 325 milionë njerëz në mbarë botën. Hepatiti është shkaktari i drejtpërdrejtë i cirozës dhe kancerit të mëlçisë, duke çuar në rreth 1.4 milionë vdekje në vit. Kjo është sëmundja e dytë më e rëndësishme infektive vrasëse pas tuberkulozit në botë, për nga pesha e vdekshmërisë dhe sot numërohen 9 herë më shumë njerëz të infektuar me hepatit sesa HIV. Hepatiti viral vret më shumë se 400 vetë çdo ditë në Rajonin Europian të OBSH. Ne nuk mund të mbetemi pa vepruar përballë këtyre shifrave dhe kësaj situate kur është e mundur për të parandaluar, diagnostikuar, trajtuar dhe shpëtuar këto jetë. Hepatiti B dhe C mund të parandalohen.hepatit-587×376

Ne kemi një vaksinë për hepatitin B, aktualisht shumë efektive në parandalimin e infeksioneve të reja, kemi aftësinë për të siguruar që transfuzionet e gjakut të jenë të çliruara nga hepatiti, kemi strategji për të shmangur infeksionet te njerëzit që përdorin drogë intravenoze, ne kemi median për të informuar dhe edukuar njerëzit, veçanërisht të rinjtë, për të parandaluar rrugët e infektimit me hepatit përmes seksit të pasigurt ose përmes tatuazheve të pasigurta të lëkurës sonë. Ne kemi njohuri, le t’i përdorim ato.

Njerëzit që vuajnë nga hepatiti B dhe C, mund të evidentohen apo diagnostikohen lehtësisht përmes analizave të thjeshta të gjakut. Por realiteti na tregon se në mesin e njerëzve që jetojnë me hepatit në botë, vetëm 10 deri në 15% e njohin statusin e tyre të infeksionit. Ne duhet të jemi në gjendje t’i arrijmë njerëzit në rrezik dhe ata të infektuar dhe të kryejmë këto teste që mund të bëhen në kuadër të programeve të kontrollit (check up-it).

Hepatiti C mund të trajtohet dhe të shërohet tërësisht në shumicën dërrmuese të njerëzve që vuajnë nga kjo sëmundje. Hepatiti B mund të trajtohet dhe kontrollohet njësoj si infeksioni HIV, për të shmangur vdekjen në radhe të parë dhe vuajtjen nga kjo sëmundje dhe duke lejuar një jetë krejtësisht normale. Por, nga të dhënat e vitit 2017, ne dimë se vetëm 4.5 milionë nga 270 milionë njerëz që jetojnë me hepatit B dhe vetëm 2 milionë nga afro 70 milionë njerëz që jetojnë me hepatitin C, kanë siguruar trajtim për shpëtimin e jetës. Kufizimi kryesor për zbatimin e trajtimit për këtë sëmundje është kostoja e barnave, por përsëri gjejmë një pabarazi të jashtëzakonshme në çmime.

Ndërsa në disa vende, një trajtim për hepatitin C mund të kushtojë 120,000 US $ për pacient, në vende të tjera mund të bëhet vetëm me 20 US $ për pacient. kjo është arena ku Shtetet mund të luajnë dhe të negociojnë. Në përputhje me Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, OBSH ka nxjerrë “Strategjinë Globale të Sektorit të Shëndetit për Hepatitin Viral 2016-2021”, e cila përfshin eliminimin e kësaj sëmundjeje si një problem i shëndetit publik deri në vitin 2030. Ne e dimë se çfarë është e nevojshme për të arritur këto qëllime: një plan veprimi dhe burimet ekonomike për ta bërë atë të ndodhë. Le të fillojmë nga më e fundit.

Sa para nevojiten? Eliminimi deri në vitin 2030 do të kërkojë një rritje të madhe të fondeve për parandalimin, testimet dhe shërbimet e trajtimit të hepatitit, si pjesë e strategjisë së arritjes së mbulimit të Shëndetit Universal. Një analizë e re e kostos së OBSH-së nënvizon se do të nevojitet një financim shtesë global prej 6 miliardë dollarësh në vit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mes viteve 2016 dhe 2030.

Po në lidhje me planet? Që nga prilli i vitit 2019, 124 vende në mbarë botën kanë zhvilluar ose po zhvillojnë plane dhe strategji hepatiti kombëtare. Por shumë nga këto plane nuk kanë fonde specifike të alokuara. Në vitin 2017, vetëm 82 vende me të ardhura të ulëta ose të mesme kishin përfshirë fonde vendase në planet e tyre kombëtare të hepatitit.

Plani i Veprimit për hepatitin viral në Rajonin Europian të OBSHsë (2017) përshtat strategjinë globale të sektorit të shëndetësisë për hepatitin viral, 2016-2021 në kontekstin e Rajonit Europian. Qëllimi i Planit të Veprimit është eliminimi i hepatitit viral si kërcënim për shëndetin publik në Rajonin Europian të OBSH deri në vitin 2030 dhe kjo është e mundur.

Dy vende në rajonin tonë janë më afër arritjes së objektivit në këtë drejtim, Islanda në vitin 2023 dhe Spanja në vitin 2024. Secili vend në Rajonin Europian duhet të zhvillojë planin e vetë të përshtatshëm dhe funksional të veprimit. Fondet financiare të nevojshme për ta zbatuar këtë plan nuk konsiderohen të jenë dhe nuk janë një shpenzim. Ato janë një investim për të ardhmen. DR. RAUL GONZALEZ MONTERO- Përfaqësues i OBSH për Shqipërinë

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme