Historia e dashurisë mes Bushit dhe Barbarës që zgjati 73 vite

George H.W. Bush ishte pranë gruas së tij kur ajo u largua nga kjo botë në prill të këtij viti, duke ia mbajtur dorën tërë ditën deri kur ndërroi jetë, në shtëpinë e tyre në Houston. Vetëm tetë muaj më vonë pasi kishte derdhur lotë në varrimin e gruas së tij, ndërroi jetë edhe Presidenti. George dhe Barbara Bush lanë një vepër të pasur jetësore pas vetes, falë kontributit të tyre të gjatë në politikë dhe angazhimit në vepra bamirësie.

Për gati 80 vjet, ata qëndruan pranë njëri-tjetrit, duke e përkrahur njëri-tjetrin në të mirë dhe në të keq dhe duke u përballur me fitore spektakolare, por edhe pikëllime të rënda, qofshin ato në aspektin privat apo politik.

“Ende jam në dashuri me burrin që u martova para 72 vitesh”, kishte thënë Barbara, para se të ndërronte jetë. Këto fjalë të thjeshta shërbejnë si testament i një dashurie të pabesueshme, e cila filloi gjatë një vallëzimi për Krishtlindje në vitin 1941. Më vonë, ata krijuan familje me gjashtë fëmijë dhe 14 nipa e mbesa, duke u bërë familja më e madhe presidenciale, shkruan Express.

Ndonëse ai shihej gjithmonë si njeri i fortë, nuk mundi t’i mbante lotët, përderisa djali i tij e lexonte me zë të lartë njërën nga letrat e dashurisë që ia kishte shkruar dashurisë së jetës së tij. Çifti u martuan më 6 janar 1945, pak kohë pasi George u kthye nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti Bush ishte shumë i rrezikuar në luftë. Në vitin 1944, aeroplani i tij dhe disa aeroplanë të tjerë ishin rrëzuar nga forcat japoneze, ndërsa George ishte i vetmi pilot që arriti të dilte nga aeroplani dhe t’i shmangej kapjes nga ushtarët japonezë. Në shenjë dashurie, ai i kishte emërtuar tre aeroplanë sipas emrit të të dashurës së tij, Barbara.

Në vitet e fundit të jetës, çifti patën një jetë më të qetë dhe kishin më shumë kohë që ta kalonin së bashku, në shtëpinë e tyre në Teksas. Vitin e kaluar, ata u shtrinë në të njëjtin spital, njëri për shkak të pneumonisë, tjetra për shkak të bronkitit. Barbara kishte thënë se ata luten çdo natë së bashku, por nganjëherë grinden se kush duhet t’ia fillojë me lutje, shkruan “Daily Mail”.

Lini Një Koment